Maqedoni

Rasti “Titanik”: Bastisje në Batincë, me kërkesë të Janevës

08.03.2016 15:49

Policia ka bastisur shtëpinë e një nga 8 të dyshuarit në rastin Titanik...

Bastisja në një shtëpi në Batincë, është bërë me urdhër të gjykatës, pas kërkesës nga Prokuroria Speciale. 
 
“Ka pasur bastisje në fshatin Batincë, me urdhër të Gjykatës, pas kërkesës së Prokurorisë Publike Speciale. Gjatë bastisjes kemi kërkuar edhe asistencë policore, ndërsa në vendngjarje kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Prokurorisë Speciale Publike. Në këtë fazë nuk mund të japim më shumë detaje rreth vendit të saktë ku është zhvilluar bastisja por mundemi të konfirmojmë se janë marrë më shumë dëshmi materiale të cilat mund të jenë në interes të hetimeve”, deklaruan nga Prokuroria Speciale Publike duke lajmëruar më shumë informacion në një fazë tjetër të hetimeve.
 
Jozyrtarisht mësojmë se është bastisur shtëpia e Munir Pepiqit, një nga të akuzuarit në rastin “Titanik”, për të cilin nga ekipi i Janevës kërkuan masën e paraburgimit më herët.
 
Por kjo deri tani nuk është konfirmuar nga Prokuroria Speciale.
 
Munir Pepiq është një nga personat që dëgjohet edhe në materialet e përgjuara e të publikuara një vit më parë nga opozita maqedonase në pjesën që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore.