Maqedoni

Ahmeti takon përfaqësues të Brukselit, pas 5 qershorit i kthehemi agjendës euroatlantike

09.03.2016 15:41

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ishte i ftuar për një drekë pune nga ambasadori Evropian Aivo Orav në rezidencën e BE-së në Shkup...

Në këtë drekë pune ishin të pranishëm edhe Drejtoresha për Evropën Perendimore, Ballkanin Perendimor dhe Turqinë pranë Shërbimit Evropian për Politikë të Jashtme Angelina Erchhorst si dhe Johanes Ëiereck nga e njejta zyre.  
 
Kryetari I BDI-së vlerësoi në këtë takim se  shtyllat kryesore nga marrëveshjet e liderëve, tashmë janë zbatuar, ndërsa partitë politike duhet që të angazhohen për rrethana demokratike zgjedhore si dhe ti ndihmojnë institucionet që zbatojnë zgjedhjet.
 
BDI do të angazhohet për proces të besueshëm, të drejtë dhe demokratik zgjedhor në të cilin mediat do të janë të paanshme dhe qytetarët do të votojnë të lirë, pa frikësime dhe pa presione.
 
Ahmeti u shpreh që zgjedhjet e 5 qershorit do të mundësojnë përmbyllje të krizës dhe rikthim të fuqishëm të skenës politike në agjenden EuroAtlantike dhe fokusim në zgjidhjen e çështjeve që po na mbajnë larg nga integrimi në NATO dhe BE.  
 
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe rreth rëndësisë së madhe të marrëdhënieve ndëretnike vis-а-vis zhvilimeve që ndërlidhen me keqpërdorimin e simboleve fetare për qëllime politike.