Bejlli takon kreun e "Besës”, situata politike temë e takimit

09.03.2016 16:36

Situata aktuale politike, zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës dhe rëndësia e krijimit të kushteve për zgjedhje fer dhe demokratike kanë qenë tema të takimit midis kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami me ambasadorin e SHBA-ve, Xhes Bejli....

Pas takimit të zhvilluar në selinë e partisë, ambasadori Bejli u iku mediave, ndërkaq kreu i Lëvizjes Besa, Kasami tha se ambasadori amerikan ka ripërsëritur rëndësinë e krijimit të kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike më 5 qershor.

“Ata vazhdojnë të përkrahin Maqedoninë që të krijohen kushte të tilla dhe në këtë drejtim edhe bashkëpunimi me partitë politike është i rëndësishëm, veçanërisht ata i kushtojnë rëndësi të veçantë kontaktit, komunikimit me partitë opozitare jashtë parlamentare të cilat nuk janë pjesë e bisedimeve të Përzhinës sepse ata vlerësojnë se edhe pozicioni dhe qëndrimet e këtyre partive, në rastin konkret Lëvizjes Besa janë të rëndësishme për demokratizimin e këtij shteti” – deklaroi kryetari i Lëvzijes Besa, Bilall Kasami.

Ambasadori amerikan Xhes Bejli ditëve të fundit ka intensifikuar takimet me partitë e vogla politike të cilat deri më tani nuk kanë qenë drejtëpërdrjetë të përfshira në gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza politike.

Fillimisht ambasadori Bejli takoi Pavle Trajanov të Lidhjes Demokratike, më pas Tito Petkovskin të PRSD-së, për tu takuar sot edhe me liderin e Lëvizjes Besa. Në axhendën e takimeve të Bejlit thuhet të jenë edhe partitë politike pjesë e koalicionit me VMRO –DPMNE-në. (Meral Ismaili, TVM2)