Maqedoni
Gjendja në arsim: VMRO: Kemi ndërtuar 51 salla sporti në shkolla; LSDM: Sallat i menaxhojnë miqtë e juaj si biznes
10.03.2016 16:37
Opozita maqedonase akuzoi pushtetin se po keqpërdor palestrat sportive, përfshi edhe ato të shkollave për përfitime private...

Gjatë debatit mbi informatën për gjendjen në arsim, deputeti i LSDM-së Petre Shilegov tha se sallat sportive nuk janë ndërtuar për nevojat e shkollave, por për t’ua dhënë në qeverisje njerëzve të afërt me pushtetin. Sipas tij shkollat nuk kanë seksione të veçanta sportive, ndërsa nxënësit detyrohen të paguajnë për shfrytëzimin e sallave.
“Ajo nga e cila, ju nuk mund të ikni është se cilado sallë sportive, përfshi edhe ato shkollore, të ndërtuara në këtë periudhë, nuk janë ndërtuar për përmirësimin e infrastrukturës, por për t’u dhënë biznes shokëve tuaj partiak, lokalë. Fëmijët tanë nuk kanë seksion për basketboll në shkollë. Paguajnë për të ushtruar basketboll”, shprehet deputeti i LSDM-së Petre Shilegov.
Mirëpo, pretendimet e opozitës, i hedhin poshtë deputetët e VMRO DPMNE-së. Sipas shumicës, ky pushtet krahasuar me vitin 2005, ndan 72% më shumë fonde buxhetore për arsimin.
“Që nga viti 2009 e deri më tani janë ndërtuar 51 salla sportive shkollore. Ju lutem dilni këtu dhe korrektësisht tregoni një vend ku një sallë sportive shkollore i është dhënë një personi fizik për të qeverisur me të! Ju lutem tregojeni me emër dhe mbiemër”, shprehet deputeti i VMRO DPMNE-së, Kërsto Mukovski.
Shkëmbimi i akuzave ndodhi gjatë debatit rreth Informacionit për gjendjet e përgjithshme në arsim dhe efeket nga testimi ekstern në arsimin fillor dhe të mesëm, i parashtruar nga deputetët e opozitës.
SHPËTIM NUREDINI
