Rasti “Lagjia e Trimave”, dëshmuan dy fqinjët e të akuzuarve

10.03.2016 17:09

Para 29 të akuzuarve të “Lagjes së Trimave” dhe bashkëshorteve të policëve të ndjerë, dëshmuan dy fqinjët e të akuzuarve, berberit Irfan Lutfiu dhe Fadil Fejzullahu...

Sabit Sejdiu bashkë me të birin Armend Sejdiu mohuan të kenë vërejtur lëvizje të jashtëzakonshme disa ditë para se të zhvillohen ngjarjet e 9 majit.

Sabit Sejdiu atë natë kishte qëndruar në shtëpinë tjetër në fshatin Orkocë, ndërkaq i biri i cili menaxhon dy supermarketet dhe furën, tha se atë natë është kthyer vonë në shtëpi dhe është zgjuar në mëngjes nga të shtënat e policisë.

Armend Sejdiu pasi ka evakuar familjen ka përfunduar në stacionin policor bashkë me katër punëtorët  e furës ku me marrjen në pyetje ka përjetuar torturë psiqike. Babë e birë në sallën e gjykatës njohën dy fqinjët e tyre duke i cilësuar ata si njerëz korrekt. Ndërkohë që i akuzuari Sevdail Miftari reagoi se si dëshmitari Sabit Sejdiu nuk e kishte njohur atë.

“Ky i akuzuar thotë që e njeh dëshmitarin por pasiqë bëhet fjalë për një dëshmitarë që është e një gjenerate më të moshuar mendoj që nuk iu kujtua që praktikisht njifen. Ky i akuzuar ka punuar punë ndërtimtarie tek ky dëshmitarë, por këtij nuk iu kujtua që njihen dhe tha ndohsta prej përpara ka punuar dhe ka kaluar një interval kohorë që nuk iu kujtua por nuk është diçka me rëndësi për lëndën” – tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Sipas avokatit Raufi e rëndësishme nga dëshmitë është fakti se policia pa informim paraprak të banorëve ka nisur aksionin.

“Nuk ka pas asnjë lloj lajmërimi nga ana e njësive policore që do të ketë sulm dhe definitivisht del prej prove që sulmin e kanë bërë njësitë policore speciale e jo siç thuhet në aktakuzë se kanë filluar të gjuajnë grupi i armatosur.dmth është e qartë se konflikti ka filluar me sulmin nga ana e MPB-së” – tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Ndërkaq tetë familjarët e policëve të ndjerë, në mesin e tyre edhe Nijazi Osmani, prindi i policit të ndjerë nga Studeniçani, Isamedin Osmani, shkurt kërkuan dëmshpërblim për humbjen e të afërmve, ndërkaq u pajtuan që të vazhdojë përndjekja penale ndaj të akuzuarve.

“Në vazhdën e procedurës do të kyçen edhe të dëmtuar tjerë. Ne si të autorizuar për një pjesë të të dëmtuarve kemi të drejtë që të propozojmë dëshmitarë gjatë procedurës dhe konsiderojmë se procedura deri më tani po zhvillohet në mënyrë korrekte” – tha avokati i familjarëve të dëmtuar, Zharko Stefanovski.

Në seancën e sotme mungoi dëshmitari Shaban Jashari nga Kumanova. Pala mbrojtëse refuzoi që të lexohet deklarata e tij dhe kërkoi që ai bashkë me dëshmitarët e tjerë të prokurorisë të paraqitet në seancën e ardhshme të caktuar më 22 mars. (Meral Ismaili, TVM2)