Maqedoni

Në Bogovinë të Tetovës protestohet në mbrojtje të ujit të pijshëm

11.03.2016 16:20

Për të tretën herë me radhë banorët e komunës së Bogovinës kanë protestuar për të kundërshtuar edhe një herë vendimin e institucioneve...

Për të tretën herë me radhë banorët e komunës së Bogovinës kanë protestuar për të kundërshtuar edhe një herë vendimin e institucioneve, që ujësjellësi i fshatit të mos kaloj nën ingerencat e komunës, pasi të njëjtin ata e kanë ndërtuar dhe mirëmbajtur më vetë financim nga ana e bashkëfshatareve dhe nga shoqata Ali Munishi.
 
Protestuesit kërkojnë nga kryetari i komunës Hazbi Idrizi që ti pranojë në bisedime për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
 
“Duam të theksojmë se vet kjo ndërmarrje shkel ligjin për veprimtarinë e vet e ushtron në mënyrë të kundërligjshme sepse pagesa e mbeturinave bëhet nëpër rrugë, kafene e kështu me radhë. Kërkojmë nga kreu i komunës dhe këshilli komunal që të shqyrtojë kërkesën tonë dhe të ulemi bashkërisht të gjejmë një zgjidhje e cila do tejkalonte mos marrëveshjet dhe do i jepte zgjidhje ligjore për problemin e menaxhimit me rrjetin e ujësjellësit Ali Munishi”, shprehet Vedat Sadiki drejtues i këshillit për organizimin e protestave.
 
“Këshilli komunal në suaza të ingerencave të veta në asnjë moment nuk ka vendim zyrtar i cili është valid. Tentativat për frikësime nga ekzekutivi janë të pabaza”, shprehet Bujar Misini këshilltar i pavarur.
 
Ndërkohë nga komuna e Bogovinës nuk e kanë komentuar protestën e sotme dhe kërkesat e banorëve, ndërkohë që protestuesit u shprehën të bindur se do të vazhdojnë me protesta edhe më radikalë nëse nga udhëheqësia e komunës nuk do ti marrin parasysh kërkesat e tyre që ujësjellësi i fshatit të mbeten në menaxhimin e shoqatës Ali Munishit.
 
VISAR SADIKI