Nisma për faljen e krimit zgjedhor, Ziberi: Nisma grusht për marrëveshjen e Përzhinës

11.03.2016 17:32

Nisma për t’i rikthyer presidentit të shtetit kompetencat që të falë personat të ndjekur penalisht...

Nisma për t’i rikthyer presidentit të shtetit kompetencat që të falë personat të ndjekur penalisht për vepra penale në procesin zgjedhor është një grusht i rëndë për Marrëveshjen e Përzhinës, në tërësi dhe si e tillë duhet të pengohet.

Eksperti juridik, Naser Ziberi, thotë se një vendim i Gjykatës Kushtetuese në favor të kësaj nisme do të inkurajonte pjesëmarrësit në zgjedhje që të vazhdojnë të shkelin ligjet zgjedhore edhe në zgjedhjet e rradhës dhe të prodhojnë zgjedhje jokorrekte dhe rezultat të papranueshëm.

Sipas tij edhe deklarat e zëdhënëses së KE, Maja Kocijajnçiç jepte këtë mesazh.

“Kuptohet që bashkësia ndërkombëtare nuk do të rri duarkryq sepse i gjithë ky proces ka qenë i monitoruar, sponsorizuar dhe i ndihmuar nga Unioni Evropian dhe prandaj deklarata e znj. Kocijanciç jep mesazhe se ky proces duhet të pengohet sepse e dëmton procesin në tërësi dhe në veçanti vë në pikëpyetje ndershmërinë, kredibilitetin e zgjedhjeve të ardhëshme parlamentare” – tha  eksperti juridik,  Naser Ziberi.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e komisionarit, Johanes Han, deklaroi se çdo sugjerim për mos-ndëshkimin e shkelësve të procesit zgjedhor do të jetë në kundërshtim me përpjekjet e vendit dhe komunitetit ndërkombëtar për krijimin e kushteve për zgjedhje kredibile dhe kthimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.

Sipas saj një hap i tillë do të ishte në kundërshtim me vendimin e Parlamentit për formimin e Prokurorisë speciale, e cila duhet t’i hetojë dyshimet për shkeljet në zgjedhjet e kaluara.

Ligji për amnisti, i ndryshuar në vitin 2009, i heq Presidentit të drejtën që të fal persona të akuzuar ose të dënuar për vepra penale, manipulime zgjedhore. (Shpëtim Nuredini, TVM2)