Maqedoni

Autoritetet e Kosovës reagojnë ndaj arrestimit të Dugollit në Maqedoni

12.03.2016 13:23

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë kanë reaguar lidhur me arrestimin e djeshëm të shefit të Protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës...

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë kanë reaguar lidhur me arrestimin e djeshëm të shefit të Protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gafurr Dugollit në vendkalimin kufitarë Maqedoni-Kosovë.
 
“Qeveria e Kosovës fton Republikën e Maqedonisë dhe të gjitha shtetet fqinje e më gjerë, që të mos ndërmarrin veprime policore ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës duke u bazuar në listat e Serbisë, të cilat janë të hartuara në shpërputhje të plotë me aktet juridike dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit Isa Mustafa.
 
Ndërkohë Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka kontaktuar drejtpërdrejt me homologun e tij nё Maqedoni Adnan Jashari, dhe përmes njё shkrese zyrtare i ёshtё drejtuar autoriteteve në Maqedoni duke theksuar se “Ushtrimi i juridiksionit nga njё gjykatë serbe për krime që pretendohet tё janë kryer nё territorin e Republikës sё Kosovës, pikërisht dhe vetëm per shkak se ato janë kryer nё këtë territor, konsiderojmë se përbën një shkelje tё rënd tё parimeve themelore tё sё drejtës ndërkombëtare, prandaj duke kërkuar ekstradimin nё bazë tё juridiksionit universal lehtësisht mund tё duket si një ndjekje e motivuar politikisht dhe ne shprehim shqetësimin lidhur me aplikimin e normave ndërkombëtare nё këtë proces, sidomos për një gjyqësor tё pavarur dhe tё paanshëm tё shtetit kërkues”, thekson Ministri Kuçi. 
 
Ndalimi i Dugolli në pikë kalimin kufitar Kosovë-Maqedoni, është bërë duke u bazuar në fletarrestet serbe, të cilat për autoritetet në Prishtinë janë jolegale.