Kulturë
Takimet poetike të Karadakut – 2016, çmimet e para për poetët Festim Tomorri, Sunaj Raimi e Arbër Salihu
12.03.2016 16:32
Mbrëmë në Kumanovë u mbajt edicioni i 24-të me radhë i manifestimit letrar mbarëkombëtar “Takimet Poetike të Karadakut”...

Ky manifestim organizahohet tradicionalisht çdo 11 mars nga Klubi i Shkrimtarëve ‘Jehona e Karadakut’ nga Kumanova.
Duke folur në emër të nikoqirit sekretari i klubit, Selajdin Shabani, ndër të tjera tha:“Edhe sivjet, në këtë 11 mars, kur kujtojmë demonstratat e rinisë studentore të Kosovës, jemi mbledhur bashkë, poetë e dashamirë të poezisë nga të gjitha trevat shqiptare, për t’u takuar dhe dëgjuar vargjet e bukura të poezisë shqipe”, u shpreh Selajdin Shabani.
Manifestimin e përshëndeti sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi, i cili tha se ky manifestim është një rast i veçantë për t’u takuar e komunikuar mes vete poetë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria.
“Ruajtja e traditës është një nga vlerat më të rëndësishme të organizimeve tona kulturore, që duhet kultivuar gjithmonë. Andaj, krahas mbështetjes sonë si ministri, inkurajojmë vazhdimin e punës së suksesshme dhe me shumë entuziazëm të këtij klubi shkrimtarësh”, tha Behixhudin Shehapi.
Në konkurrencën për fitimin e çmimit “ Fadil Bekteshi “ ishin rreth 40 poet nga të gjitha trojet , me çrast edhe lexuan poezitë e tyre.
Juria letrare e përbërë nga Avni Dehari, Hysen Kqiku, dhe Fatos Rushiti, vendosi që me çmimin e parë “Fadil Bekteshi”, të nderojë poetin nga Pogradeci, Festim Tomorri, me vendin e dytë poetin nga Kumanova Sunaj Raimi, dhe me vendin e tretë, poetin nga Prishtina, Arbër Salihu.
Në mbrëmje u bë edhe promovimi i botimeve të fundit të klubit. Bëhet fjalë për dramën “Portrete të djegura” nga Burhanedin Xhemaili, librat poetike “Testament” të Sunaj Raimit dhe “Kënga e fundit e mjellmës” e Arben Ibrahimit, si dhe numrat 50 dhe 51 të revistës “Doruntina” – organ i klubit të shkrimtarëve “ Jehona e Karadakut “.
