Botë
Turqi - Shpërthim i fuqishëm në qendër të Ankarasë, 27 të vrarë, 75 të plagosur
13.03.2016 19:54
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në lagjen “Kizilay” në qendër të Ankarasë në Turqi. Media turke “Hurriyet” raporton se nga shpërthimi deri tani raportohet për 27 viktima dhe mbi 75 të plagosur...

Mediat shkruajnë se shpërthimi erdhi nga një sulm kamikaz, duke përdorur një makinë bombë.
Policia e shtetit turk ka lëshuar një komunikatë, e cila konfirmon vdekjen e 27 personave, ku 23 vdiqën në vendin e ngjarjes dhe 4 të tjerë rrugës për në spital.
Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes thanë se shpërthimi ka ndodhur në afërsi të stacionit të autobusave në bulevardin “Ataturk” dhe në afërsi të shumë institucioneve shtetërore.
Nga shpërthimi, disa automjete ishin përfshirë nga zjarri. Ndërsa forcat e policisë rrethuan zonën dhe evakuuan banorët për shkak të ndonjë rreziku nga një sulm i dytë.
Ndërsa Këshilli i Radio Televizionit të Lartë Turk ka vendosur të ndalojë publikimin e imazheve të shpërthimit.
Ky është shpërthimi i tretë i madh që ka goditur kryeqytetin turk që nga tetori 2015.
Vetëm disa javë më parë rreth 30 persona humbën jetën nga një shpërthim kamikaz në Turqi./Oranews
