Turqi: Shkon në 37 numri i të vdekurve dyshohet se një prej kamikazëve, ka qenë femër

14.03.2016 13:35

Një ditë pas sulmeve në Ankara, ku humbën jetën 37 persona dhe mbi 100 të tjerë u plagosën...

Një ditë pas sulmeve në Ankara, ku humbën jetën 37 persona dhe mbi 100 të tjerë u plagosën, burime zyrtare turke thonë se një prej sulmueseve kamikaze dyshohet se është një femër.
 
“Një sulmues besohet të jetë një grua me lidhje me PKK,” tha  një zyrtar për AFP, duke iu referuar Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit.
 
Ndërkohë  Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan tha se sulmet në Ankara e bëjnë më të vendosur për të luftuar terrorizmin.
 
“Pas paqëndreshmërisë në rajon, Turqia në vitet e fundit ka qenë cak i sulmeve terroriste. Grupet terroriste po shënjestrojnë civilët sepse po e humbasin luftën e tyre me forcat e sigurisë turke. Në fytyrën e veprimeve që kërcënojnë integritetin e vendit tonë, ne do të vazhdojmë luftën kundër terrorizmit edhe më të vendosur”, shprehet presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. 
 
Deri tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e kësaj masakre, por burime qeveritare dyshojnë për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.
 
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ankara kishte paralajmëruar shtetasit e saj më 11Mars për komplote terroriste në qytet.  
 
Ky është sulmi i tretë në më pak se gjashtë muaj. I fundit ndodhi më 17 shkurt, kur nga shpërthimi i një makine bombë humbën jetën 29 persona.
 
Sulmi u mor përsipër nga grupi militant kurd “Skifterat për Lirinë e Kurdistanit” si një shpagim për politikat e presidentit turk, Rexhep Taip Erdoan.
 
GAZMEND KURTISHI