Maqedoni

Zgjatet 48 orë paraburgimi i Dugollit, Protesta në Prishtinë për lirimin e tij

14.03.2016 15:45

Gjykata Themelore Shkupi 1, me kërkesë të prokurorisë Themelore, ia ka vazhduar edhe për 48 orë masën e paraburgimit Gafurr Dugollit...

Gjykata Themelore Shkupi 1, me kërkesë të prokurorisë Themelore, ia ka vazhduar edhe për 48 orë masën e paraburgimit Gafurr Dugollit, shefit të protokollit të Ministrisë së Forcave të Sigurisë së Kosovës. Për ekstradimin ose jo të Dugollit në Serbi, do të vendoset nesër në mbrëmje.
 
“Me propozim të prokurorit publik, gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Shkupit 1 personit G.D i caktoi masën e paraburgimit afatshkurtër 48 orësh, me qëllim të vërtetimit të identitetit. Këtë vendim avokati i tij e ka ankimuar në korniza të afatit të paraparë por Këshilli Penal e ka refuzuar këtë ankesë si të pabazë”, thonë nga Gjykata Themelore për TVM 2. 
 
Gafurr Dugolli u arrestua të premten nga policia maqedonase në kalimin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë, sipas kërkesës së autoriteteve Serbe për dyshimin që të ketë kryer veprën penale “Krime Lufte” në territorin e Republikës së Kosovës. Kundër paraburgimit të Dugollit në Maqedoni, është protestuar sot para ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë.
 
“Krime bëri Serbia, jo UÇK-ja”, “Mos u tallni me dinjitetin e shqiptarëve”, “Mos na i rihapni plagët”, ishin  porositë e shumta të atyre që kërkonin lirimin e ish ushtarit të UÇK-së. Ministria e Drejtësisë e Kosovës, me një letër iu drejtua autoriteteve të Shkupit ku thuhet se juridiksioni i supozuar i Serbisë, lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “krime lufte” në territorin e Republikës së Kosovës nga shtetasit e Kosovës është i paligjshëm dhe politikisht i papranueshëm dhe për këtë arsye, në interes të Drejtësisë. 
 
Nga kjo ministri i apelojnë Qeverisë së Maqedonisë që rreptësisht të refuzojë çdo kërkesë për ekstradimin e Dugollit në Serbi.
 
ERSAN PAJAZITI