Komiteti i Helsinkit, mos të pengohet puna e prokurorisë speciale

14.03.2016 16:06

Komitetit i Helsinkit kërkon bashkëpunim të të gjitha institucioneve, me Prokurorinë Speciale Publike...

Nga ky komitet bëjnë thirrje që të mos pengohet puna e Prokurorisë Speciale , por institucionet në kohë ti dorëzojnë kësaj prokurorie të gjithë dokumentacionin dhe informatat e nevojshme, për ti mundësuar të kryejë hetimet kundër të gjithë të dyshuarve dhe të ngrejë procedurat përkatëse.

Reagimi vjen një ditë para se Janeva të prezentojë  para Këshillit të Prokurorëve publikë, raportin e punës dhe aktivitetet gjashtë mujore të bëra nga ekipi i saj.

Prokuroria speciale shumë herë është ankuar se institucionet  refuzojnë bashkëpunimin edhe pse këtë e kanë obligim ligjor.

Raporti që do të paraqitet nesër nga Janeva,  përmban aktivitetet e prokurorisë speciale publike, arsyetime për harxhimet e bëra deri më sot, por jo edhe informacione për lëndët nën hetim. Deri tani prokuroria speciale ka hapur tri procedura për hetime që kanë të bëjn me parregullsi zgjedhore, në të cilat si të dyshuar kryesor janë funksionarë të  lartë të pushtetit.

Për rastin  “Titanik” ndiqen nëntë persona, por edhe pse prokurorët special kërkuan arrest për ta , gjykatësi nuk përcaktoi  masën e paraburgimit.

Përveç parregullsive zgjedhore, Prokuroria Speciale ka hapur edhe 15 lëndë parahetimore  të cilat i përkasin vërtetimeve në lidhje me financimin e mediave, keqpërdorimin e procedurave për furnizime publike, fshehjeve tatimore, larjes së parave, veprimeve të ndryshme korruptive, keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, hetimeve financiare, si dhe keqpërdorime të procedurave që i përkasin punëve ndërtimore. (Gyltene Sinani, TVM2)