Maqedoni
“Pranvera e dinjitetit” në kalanë e lirisë, nderohen dëshmorët e 2001
14.03.2016 16:40
Malësia e Sharrit kujtoi sot 14 marsin e vitit 2001, luftën e shqiptarëve për të drejtat e tyre të mohuara dhe krijimin ne brigadës 112 të UÇK-së që mban emrin e heroit Mujdin Aliu...

Si në gjithë këto 15 vitet e shkuara, manifestimi u mbajt në kalanë e Qëndresës në fshatit Sellcë. Ish komandanti i UÇK-së Ali Ahmeti, përkujtoi me këtë rast se armiqtë gjithnjë kanë investuar kundër shqiptarëve dhe lufta e armiqve nuk ka mbaruar por tani vazhdon përmes propagandës.
“Historikisht armiqtë janë përpjekur kanë investuar e propaganduar për ti denigruar e pashtruar të gjallët dhe për të trazuar eshtrat e të rënëve . Prandaj këto hordhi nuk harrojnë strategjitë e përpunuara të paraardhësve të tyre vazhdojnë të trazojnë vazhdojnë të denigrojnë por unë do ju shprehem me një fjalë popullore “ Na marrshin pleshtat që të gjithë sepse shqiptarët janë të vetëdijesuar dhe ndërgjegjësuar që të mos lejojnë as dëshmorët e herojntë dhe historinë e tyre të përbaltet por as ata të gjallë që jetojnë mos denigrohen”, tha Ali Ahmeti, ish udhëheqës i UÇK-së.
Përfaqësues të brigadës 112 e përfaqësues të veteranëve të luftës e familjeve të dëshmorëve , potencuan gjithashtu rëndësinë e luftës së 2001, dhe qëndresës që bënë luftëtarët në kalanë e Sellcës
“Është një ndër kalatë që simbolizon luftën e viti 2001,ajo luftë e cila na mblodhi bashkë për të rezistuar me forcë , ashtu siç është kërkuar gjatë viti 2001 dhe na mbajti bashkë deri më sot ashtu edhe siç kërkohet që edhe me mjete tjera sot të vazhdohet dhe të ruhet amaneti i tyre që ranë për ne”, tha Hazbi Lika, ish komandant i brigadës 112 “Mujdin Aliu”.
“Të nderuar familje të dëshmoreve vijmë tek ju të marrim guximin nga ju të ecim përpara një hapë duke kujtuar ata që kanë nderuar jetë , dy hapa për të bërë përpara për të kryer detyrën ndaj tyre", tha Fazli Veliu, kryetar i SHVL-UÇK-së.
“Është një nder dhe respekt i veçantë që të jesh gjithmonë këtu, ndodh kjo gjë si një njeri i pleqëruar dhe i sëmurë sapo vjen këtu në Kalanë e Qëndresë harrohet sëmundja dhe çdo gjë tjetër sepse pranë janë njerëzit më të mirë që kam njohur në jetën time”, tha Bardhyl Llagami, babai i dëshmorit Shpend Llagami.
Në fund të gjithë të pranishmit bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në shenjë respekti dhe mirënjohje për të gjithë ata djem të rinj që dhanë jetën e tyre për liri.
VISAR SADIKI
