Botë

Analizë - Sulmet në Turqi, dhuna në rritje, pse dështon parandalimi?

14.03.2016 20:50

Pse ka ardhur në rritje dhuna në Turqi, sa e ka penalizuar fakti i të qënit armik me Sirinë dhe pse turqit po dështojnë me parandalimin e sulmeve?

Tre atentate të kryera nga tre grupe të ndryshme në qendër të Ankarasë vetëm në 5 muajt e fundit, japin alarmin se situata ka dalë jashtë kontollit dhe kurdët kanë përforcuar pozicionet e tyre.
 
Dy ndër qytetet më të mëdha në Turqi, Ankaraja dhe Stambolli janë goditur nga sulme të përgjakshme me bombë, ku nën shënjestër kanë qënë zona të populluara, duke shkaktuar dhjetra të vdekur.
 
Për shumë kohë Turqia ka funksionuar si një ndërlidhës mes Europës dhe Lindjes së Mesme, por tashmë tensionet janë rritur në këtë vend, ku ushtria vijon të luftojë militantët kurd, por nuk po arrin të kontrollojë situatën në kufirin me Sirinë.
 
Përveç kërcënimeve që vijnë nga Shteti Islamik, Turqia i druhet pushtetit gjithnjë e në rritje të sirianëve kurd.
 
Tre atentate të kryera nga tre grupe të ndryshme në qëndër të Ankarasë vetëm në 5 muajt e fundit, i kanë dërguar një sinjal të qartë Turqisë.
 
 “Askush nuk është i paprekshëm nga dhuna”.
 
Turqia prej kohësh është në konflikt me Sirinë dhe presidenti Erdogan ishte ndër të parët që menjëherë i doli në krah rebelëve sirianë, duke kërkuar largimin e presidentit Bashar Al-Assad.
 
Por së fundmi është rritur ndjeshëm shqetësimi i autoriteteve turke në lidhje me luftëtarët kurd Yazidi, të cilët janë përforcuar që nga momenti kur thyen militantët e Shtetit Islamik që po kërkonin të hynin në Turqi, për më shumë që një pjesë e këtij grupimi mbështetet nga SHBA.
 
Tashmë kurdët kontrollojnë shumicën e zonës kufitare me Turqinë. Objektivi kryesor i Turqisë është të mos lejojë kurdët të pushtojnë dy zona të rëndësishme në veri dhe verilindje të Sirisë.
 
Deri në këto momente forcat e sigurisë kanë dështuar të parandalojnë sulmet me bombë dhe frika është e madhe për të tjera sulme të pilotuara nga Partia Popullore Kurde dhe Shteti Islamik./Mia