Breivik padit shtetin, për "trajtim çnjerëzor"
Anders Breivik ka vendosur të testojë sërish sistemin ligjor norvegjez duke paditur vendin e tij për shkelje të të drejtave njerezore...

Autori i masakrës së 2011, ku vrau 77 vetë u shfaq për herë të parë në publik që pas dënimit me 21 vite burgim për masakrën.
Ai nuk tha asnjë fjalë në seancën ku ka vendosur të padisë Norvegjinë për shkelje të të drejtave të njeriut, por është mjaftuar me një përshëndetje naziste në fillim dhe fund të saj. Në padinë e ngritur kundër Norvegjisë, Breivik e quan veten “viktimë të një trajtimi mizor dhe çnjerëzor” në burgun e Skien, rreth 100 kilometra në jug-perëndim të Oslos. Ai mbahet i izoluar në një bllok të tërë të burgut me një kompjuter dhe një PlayStation për të kaluar kohën.Ky nuk është pretendimi i parë i 37-vjeçarit. Në të shkuarën ai është ankuar për mungesën e internetit në kompjuterin që ka si dhe për “diskriminim” pasi në qeli nuk kishte versionin e fundit të PlayStation-it.
Padia e Breivik interpretohet gjerësisht si një test për sistemin ligjor norvegjez dhe mund të rihapë plagët e familjarëve të viktimave, në një vend që është përpjekur fort të harrojë sulmin më vdekjeprurës që nga Lufta e Dytë Botërore. Më 22 korrik të vitit 2011, një bombë shpërtheu në Oslo.
Kjo u pasua pak më vonë me vrasjet masive në ishullin e Utoyas, ku shënjestër e Breivik ishin aktivistët e Partisë Laburiste, kryesisht të rinj. 77 persona humbën jetën nga çmenduria e Breivik, që kundërshtonte politikat e ndjekura karshi refugjatëve myslimanë në vendin e tij.
