Ahmeti takon ambasadorët e BE-së, prezanton prioritetet e BDI-së
Me ftesë të euroambasadorit Aivo Orav, Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka takuar ambasadorët e vendeve anëtarë te Bahskimit Europian të akredituar në Maqedoni.

Ahmeti ka prezentuar para ambasadorëve pikëpamjet e BDI-së në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfqinjësore, zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja e Përzhinës, zgjedhjet e jashtëzakonshme si dhe integrimin Euro-Atlantik të vendit.
BDI do të angazhohet për vijim të dialogut dhe zbatim të reformave urgjente edhe pas zgjedhjeve, ka deklaruar Ahmeti para ambasadorëve. Sipas kreut të BDI-së , mbarëvajtja e zgjedhjeve të 5 qershorit do të mundësojë fillimin e përfundimit të krizës politike në vend, por paraqet edhe parakusht për rivendosje të prioriteteve shtetërore mbi agjenden EuroAtlantike.
“Prioritet e BDI-së do të përqëndrohen në rivendosjen e stabilitetit dhe sigurisë, zgjidhjen e çështjeve me fqinjët, të cilat e pengojnë integrimin në NATO dhe BE, marrëdhëniet ndëretnike, zbatimin e reformave prioritare, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale, etj” ka deklaruar Ahmeti . Lideri I BDI-së dhe ambasadorët e vendeve të BE-së, diskutuan edhe për rëndësinë e marrëdhënieve ndëretnike, keqpërdorimin e simboleve fetare për qëllime politike si dhe për distribuimin dhe publikimin e paligjshëm të materialeve të përgjuara me ç'rast u kërkua përgjegjësi penale për keqpërdoruesit”, thuhet në njoftimin e BDI-së. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
