Turqi: Ushtria i ka vrarë 45 kryengritës kurdë

15.03.2016 12:38

Ushtria e Turqisë thotë se së paku 45 kryengritës kurdë janë vrarë nga sulmet ajrore që i ka ndërmarrë në pjesën veriore të Irakut, pas sulmit vdekjeprurës me makinë-bombë në Ankara...

Aeroplanët luftarakë të Turqisë i kanë bombarduar pozicionet e Partisë Punëtore të Kurdistanit gjatë ditës së djeshme, një ditë pasi nga një sulm vetëvrasës në Ankara janë vrarë 37 vetë.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, tha se autoritetet janë “pothuajse të sigurt” se sulmi në Ankara ishte punë e kryengritësve kurdë.Sulmi i pardjeshëm vetëvrasës në Ankara ishte i treti me radhë në pesë muaj, në një hapësirë që është afër zyrës së kryeministrit, parlamentit dhe ambasadave të jashtme.

Turqia aktualisht është e angazhuar në sulme kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe luftëtarëve të PKK-së në pjesën juglindore të Turqisë.