Futboll

Leicester City nuk ndalet, titulli më pranë

15.03.2016 14:54

Ëndrra vazhdon. Në King Power Stadium Leicester City i Claudio Rainierit falë një magjie të Shinji Okazakit, mundi 1-0 Newcastle United...

Ëndrra vazhdon. Në King Power Stadium Leicester City i Claudio Rainierit falë një magjie të Shinji Okazakit, mundi 1-0 Newcastle United në debutimin e trajnerit spanjoll Rafael Benitez në stolin qymyrxhinjëve duke ruajtur avantazhin prej 5 pikësh ndaj Tottenhamit të vendit të dytë edhe pas javës së 30-të.
 
Tashmë fitimi i titullit të parë kampion në histori është më pranë për Dhelprat, me Leicester-in që në 8 javët e mbetura të Premier Leagues është i favorizuar edhe nga kalendari.
 
Një gol fantastik me roveshatë nga ana e samurait Okazaki ishte mëse i mjaftueshëm që skuadra e Rainierit të merrte tre pikët e rradhës.
 
Ajo ndaj Newcastle ishte fitorja e dytë radhazi për Leicester-in dhe i 12-ta me shifrat 1-0 nga 18 gjithsej në këtë sezon.
 
Duke parë klasfikimin, me ndalesën e Manchester City-it ndaj Norwich-it, rivali i vetëm që mund ti rrëmbejë titullin Leicester-it është Tottenhami i Mauricio Pochettinos.
 
Tre ndeshjet e radhës Dhelpërat i kanë ndaj Crystal Palace dhe Sunderland-it në transfertë, dhe Southamptonit në shtëpi, tre skuadra që nuk luftojnë për asgjë në këtë sezon.
 
Nëse ekipi i Rainierit grumbullon 9 pikë në këto tre sfida atëherë fitimi i kampionatit mund të rezultojë thjeshtë një formalitet për Leicester-in duke parë që Tottenhami në 3 ndeshjet e rradhës do të sfidojë edhe Liverpoolin edhe Manchester United.
 
Në përfundim të sfidës ndaj Newcastle, Claudio Rainieri u përpoq të frenonte disi entuziasmin e madh që ka përshirë skuadrën e tij duke deklaruar se vëmendja e Leicester-it nuk është te fitimi i titullit kampion por vetëm te ndeshja e ardhshme ndaj Crystal Palace.