Janeva dorëzoi raportin për punën gjashtëmujore, janë hapur 30 raste kundër 80 personave
Që prej 15 shtatorit, kur u formua Prokuroria Speciale Publik, janë hapur 30 raste kundër 80 personave...

Që prej 15 shtatorit, kur u formua Prokuroria Speciale Publik, janë hapur 30 raste kundër 80 personave, të cilët po hetohen për krime të tilla si shkelje e së drejtës për të votuar, keqpërdorim të fondeve për fushatën zgjedhore, përgjimin e paautorizuar dhe audio-regjistrim, mashtrim elektoral, si dhe bashkëveprim për kryerje të veprës penale.
Kjo është theksuar në raportin gjashtëmujor të Prokurorisë Speciale Publike, që u dorëzua deri te Kuvendi dhe Këshilli i Prokurorëve Publik.
Nuk ka informacione për lëndë të caktuara dhe për atë se në cilën fazë janë lëndët, por në raport është konstatuar se janë filluar shumë procedura parahetimore, një pjesë e tyre janë në fazë të avancuar, disa kanë kaluar në hetim dhe së shpejti mund të presim edhe akuzat e para.
Në raportin e Katica Janevës për punën e bërë brenda gjashtë muajve, theksi është vënë edhe te bashkëpunimi me institucionet, ku konstatohet se Gjykata dhe prokuroritë publike nuk i besojnë Prokurorisë Speciale dhe shkelin ligjin, për shkak se refuzojnë të bashkëpunojnë, duke refuzuar që t’i dorëzojnë lëndë për inspektim.
Në raport thuhet se faktikisht Prokuroria punon pak më shumë se tre muaj, sepse afate të caktuara u shkelën. Nëse praktika e mosdorëzimit të lëndëve vazhdon, PSP do të jetë e detyruar për të vendosur ingerenca mbi rastet në bazë të materialeve të përgjuara, thuhet në raport.
Gjithashtu është theksuar se Gjykata Themelore 1 nuk i ka dorëzuar dëshmitë deri te PSP, me qëllim që të shkaktojë vonesa në seancën kryesore të rastit "Puç".
“LSDM deri te PS ka dorëzuar një hard-disk dhe gjashtë kuti me transkripa. Ky hard-disk përmban gjithsej 546,948 fajlle”, thuhet në raportin e PS-së.
Nga Prokuroria Speciale kanë dhënë llogari dhe për mjetet financiare në vlerë prej katër milionë euro që iu ndan kësaj prokurorie.
Nga mjetet financiare të miratuara janë shpenzuar 21.4 për qind edhe atë për pagat e të punësuarve, shërbimet komunale, inventarin, përshtatjen e ndërtesës, blerjen e pajisjeve e tjera.
Nga Kuvendi informojnë se seanca plenare, në të cilën do të shqyrtohet raporti i Prokurores Speciale, Katica Janeva, është caktuar për 28 mars.
SANIJE KASAMI
