Instituti për Studime të Komunikimit, doracak për ngritjen e standardeve në media
Pavarësia mediale në Maqedoni në masë të madhe është e goditur dhe e kërcënuar dhe për pasojë vjen deri te humbja e besueshmërisë ndaj tyre nga opinioni publik...

Kështu vlerësuan hartuesit e doracakut për interesin publik në gazetari, Sefer Tahiri dhe Zhaneta Trajkovska, të cilin e promovoi Instituti për Studime të Komunikimit. Doracaku, i cili ngërthen 10 parime, sipas tyre duhet të jetë në shërbim të përmirësimit të standardeve në fushën e mediave, ndërsa pritet që të ju ndihmojë jo vetëm gazetarëve, por edhe qytetarëve që të përkujtohen në themelet e një gazetarie etike dhe profesionale.

“Pavarësia editoriale e mediave është e goditur shumë dhe në një farë mënyre duke i promovuar këto parime, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e besueshmërisë dhe shërbimin e mediave në funksion të publikut, që kanë të bëjnë me llogaridhënien, me transparencën me paanshmërinë, që kanë të bëjnë gjithashtu me mbrojtjen e qytetarëve nga dëmi, nga fyerja, gjithashtu që kanë të bëjnë edhe me mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve, dhe në përgjithësi që kanë të bëjnë me transparencën e mediave për shkak se media duhet t’i jep llogari publikut për punën e vet që e bën, media nuk duhet të ju jep llogari qendrave politike, sepse vetëm atëherë media do të jetë në shërbim të publikut dhe të realizojë agjendë publike, e jo agjendë politike apo agjendë tjetër, siç bëjnë disa media në Maqedoni”- deklaroi bashkautori i doracakut, Sefer Tahiri.

“Këto 10 parime nuk janë të vetmet, por vlerësuam se këto parime në bashkëpunim me mediat, me të cilat kemi bashkëpunuar vitin e kaluar, përbëjnë një bazë, të cilën do të mundemi më pas edhe një herë t’a mbindërtojmë dhe t’i sqarojmë sërish parimet e përgjithshme lidhur me atë se çfarë do të thotë gazetari profesionale”- tha redaktorja e doracakut, Zhaneta Trajkovska.
Doracaku është bazuar në kodeksin etik të gazetarëve, por edhe tek dispozitat ligjore dhe normat ndërkombëtare që garantojnë lirinë e mediave.
Hartuesit e doracakut besojnë se këto parime do të ndihmojnë që mediat plotësisht të jenë në shërbim të publikut, si formë e vetme për rritjen besueshmërisë së tyre para qytetarëve. (Naim Ramadani, TVM2)
