Maqedoni
Dita Botërore e Konsumatorëve, konsumatorët shprehin pakënaqësi për teknikën e bardhë
15.03.2016 15:44
Në vitet e fundit është ngritur vetëdija publike për të drejtat e tyre në rast se nuk janë të kënaqur nga produktet dhe shërbimi kryesisht në ushqim...

Këtë e konfirmojnë edhe numri gjithnjë e më i madh i ankesave, si dhe parashtresat e dorëzuara. Inspektorati Shtetëror i Tregut vitin e kaluar ka kryer 5,016 inspektime në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorit, nga të cilat mbi 1000 janë bazuar në raportet nga konsumatorët.
Aneta Dimovska nga Ministria e Ekonomisë, theksoi se motoja e sivjetmë me të cilën shënohet Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve është “Antibiotikët jashtë nga menuja”, me qëllim që të diskutohen të arriturat nga viti i kaluar dhe të ndërmerren aktivitete për të rritur cilësinë në pjesën e mbrojtjes së konsumatorëve.
“Pakënaqësia më e madhe e konsumatorëve ka të bëjë me produktet jocilësore, në veçanti nga teknika e bardhë, telefonat celularë, kompjuterët dhe shërbimet jocilësore”- deklaroi ministrja e Ekonomisë, Aneta Dimovska.
Ndërsa drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Zoran Popovski, tha se inspektorati në vazhdim është në terren dhe se numri i parashtresave në pjesën e ushqimeve është rritur.
“Numri i parashtresave po shënon rritje në pjesën e ushqimeve, mirëpo në të njëjtën kohë po rritet edhe numri i parashtresave të pabaza, që do të thotë se konsumatorët duhet të informohen më shumë në pjesën e sigurisë dhe cilësisë së ushqimit”- tha drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Zoran Popovski.
Ndërsa nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë thonë se me qëllim të detektimit sa më të mirë të vlerës nutricioniste të produkteve ushqimore, është vënë në përdorim një aplikacion mobil, i cili mundëson të shihet përqindja e yndyrave, sheqerit dhe kripërave të cilat ndikojnë në shëndetit të njeriut.
REJHANE BUSHI-METAJ
