Maqedoni
DAP: Skadoi afati për paraqitjen e të ardhurave shtesë
15.03.2016 16:07
Skadon afati për paraqitjen tatimore vjetore për të ardhurat e realizuara shtesë gjatë vitit 2015...

Sot ishte dita e fundit ku qytetarët duhej ta kryenin këtë obligim. Ndërsa si rëndom edhe këtë vit kishte numër të madh të personave të cilët po prisnin në radhë që në ditën e fundit në sportelet e DAP-it të paraqesin tatimin vjetor.
Ata për TVM2 thonë se shkaku i kësaj vonese janë punët dhe obligimet e tjera, por edhe moskujdesi i tyre.
“Mendoj se afati i fundit është ky. Faji nuk është te nëpunësit administrativ, është faji ynë, nuk e kemi pritur këtë ditë, kemi pasur hapësirë të madhe kohore. Ajo është moskujdesi ynë ndaj obligimit qytetar që e kemi”- tha një qytetar.
“Tjera ditë nuk kam mundur për shkak se kam qenë shtatzënë dhe kam fëmijën në shtëpi”- theksoi një qytetar.
“Tani secili presim ditën e fundit. Kemi pasur punë dhe obligime tjera, nuk kemi arritur të kryejmë më parë”- u shpreh një qytetar.
Pritja e Drejtorisë për të Ardhura Publike ka qenë dorëzimi i rreth 400.000 paraqitjeve tatimore për të ardhura të realizuara shtesë, si të ardhurat nga veprimtaria bujqësore-veprimtari e pavarur, të ardhura nga qiratë, nga dhënia e pronës, të drejta autoriale, pronësi industriale, dividendë e paguar, përfitim kapital nga shitja e pjesëmarrjes në kapital dhe pronë e patundshme, fitim nga lojërat shpërblyese në vlerë më të madhe se 5.000 denarë, apo të ardhura të realizuara nga lojërat e fatit përmes internet-faqeve të huaja të specializuara.
ERSAN PAJAZITI
