Maqedoni

Kriza e migrantëve, Maqedonia kthen refugjatët ilegalë në Greqi, Ivanov thërret mbledhje të Këshillit të Sigurisë

15.03.2016 16:31

Rreth 1.500 refugjatë, që mbrëmë ilegalisht hynë në fshatin Mojan të Gjevgjelisë përmes malit “Kozhuv”, sot janë kthyer në Greqi...

Policia dhe Armata e Maqedonisë gjatë ditës së sotme kanë punuar për deportimin e refugjatëve të tjerë ilegal në territorin e Greqisë. Migrantët thonë se ashtu si erdhën edhe u kthyen, përmes lumit “Suva Reka”, me shumë lot dhe dëshpërim të madh që nuk arritën të vazhdojnë rrugën drejt vendeve të BE-së.  
 
“Ata na thanë ecni, vazhdoni rrugën, pastaj thjesht na lanë të hyjmë. E kur ne hymë mes atij shiu e të ftohti, nuk na lanë më të vazhdojmë më tej. Kur ne kaluam kufirin, na thanë se atje ka edhe 1.500 njerëz të tjerë, por nuk i kemi parë kur kaluam dhe nuk dimë asgjë më shumë për ta. Dëgjuam edhe që katër njerëz kanë vdekur. 50 persona i kanë kthyer pas në kamp. Kemi frikë për fëmijët tanë, pasi atje është shumë ftohtë e nuk kemi as tenda e asgjë tjetër me vete”- deklaroi një refugjate nga Damasku-Siri. 
 
“Është rrugë e gjatë nga kampi deri në male, rruga na zgjati 6 orë. Për moshën time kjo është shumë e vështirë, por kam ecur dhe pushuar kohë pas kohe. Unë shpresoja se përmes Maqedoninë do të vazhdoja rrugën për në Serbi, por nuk ja arrita”- tha refugjati nga Alepo, Mohammad Kattan.
 
Situata në fshatin Mojan është e qetë, por banorët e këtij fshati janë ende të frikësuar nga ajo që panë mbrëmë.                                                                                                                                                  
“Ishte e tmerrshme, po të ishit këtu do të frikësoheshit, u mbush me migrantë, për 15 minuta erdhi edhe policia dhe ushtria. Nuk kërkuan asgjë nga ne, as ushqim. Policia deri në mesnatë arriti t’i largojë. Tani është qetë, policia dhe ushtria janë në kufi”- u shpreh një banore e Mojanës-Gjevgjeli.   
 
“Qëndroja këtu para veturës, kishte shumë ushtri dhe kamionë, migrantët vinin në grupe. Ata erdhën rreth orës tre. Por, sot nuk ka asgjë, nuk ka as kamionë as policë”- tha një banor i Mojanës-Gjevgjeli.   
 
Sipas informatave të MPB-së, 28 gazetarët e huaj, që u arrestuan nga autoritetet e vendit, sot janë liruar. Mediat e huaja raportojnë se refugjatët që hyjnë në Maqedoni kanë qenë të përgatitur qysh në anën greke nga disa organizata joqeveritare greke. Atyre u janë dhënë udhëzime dhe harta në gjuhën arabe se si dhe nga cilën anë mund ta kalojnë më lehtë malin “Kozhuv”. 
 
Presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, për këtë arsye sonte ka caktuar mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, ku do të diskutohet gjendja momentale e Maqedonisë lidhur me krizën e refugjatëve. Situata në zonën ndërkufitare Maqedoni- Greqi mbetet e pandryshuar. Në Idomeni nuk ka kushte minimale njerëzore.
 
Mbi 12 mijë refugjatë një javë e më shumë janë të bllokuar dhe ngulfatur në baltë nga shiu i këtyre ditëve. Një numër i vogël i tyre herë pas herë shpërngulet në kampet e pranimit në Athinë, por kjo nuk është e mjaftueshme për të zbrazur kampin improvizues në Idomeni. 
 
Shqipëria mbetet një opsion tjetër për kalimin e refugjatëve që ndodhen në Konicë. Autoritet e Shqipërisë javë më parë kanë rritur sigurinë dhe numrin e pjesëtarëve të policisë që ruajnë kufijtë, ndërsa paralajmërohet edhe vendosja e ushtrisë nëse shihet e nevojshme. 
 
Ndërkohë, autoritet sllovene njoftojnë se janë duke i përforcuar kufijtë e tyre mbrojtëse me tela shtesë me gjemba. Zëdhënësja e MPB-së, Sllovene Vesna Mitriç, tha se deri tani janë vendosur mbi 10 kilometra tel me gjemba. 
 
REXHEP QAMILI