Botë

Gjermani, shpërthim me eksploziv në Berlin, personi i vdekur ishte emigrant

15.03.2016 17:49

Një makinë ka shpërthyer gjatë mëngjesit të sotëm në Berlin, duke vrarë shoferin që po e drejtonte atë...

Shpërthimi me eksploziv i makinës  vuri në alarm forcat e sigurisë për sulme të mundshme terroriste në kryeqytetin gjerman.
 
Shpërthimi ndodhi në pjesën perëndimore të kryeqytetit, ndërsa makina ishte në ecje e sipër. Sipas dëshmitarëve, fuqia e eksplozivit e ngriti makinën në ajër.
 
Autoambulancat që kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes nuk kanë arritur që të bëjnë asgjë për drejtuesin e mjetit, i cili ndërroi jetë menjëherë.
 
Ngjarja është ende e paqartë, por në bazë të deklaratave paraprake të Policisë dyshohet se bëhet fjalë për një shpërthim me eksploziv, ndërsa sipas të dhënave  më të reja të Policisë gjermane për shpërthimin e makinës në Berlin tregojnë se personi që mbeti i vrarë nga ky shpërthim, drejtuesi i automjetit, ishte 43 vjeçar dhe se ishte emigrant në Gjermani.
 
Makina e shpërthyer është e modelit Volksvvagen Passat. Policia gjermane ka nisur një hetim zyrtar për të zbardhur motivet e këtij incidenti tragjik. Ende nuk dihet qartë se kush fshihet pas këtij sulmi, por policia dyshon se shpërthimi është kryer për hakmarrje nga një bandë kriminale gjermane.
 
GAZMEND KURTISHI