Maqedoni

Kriza me refugjatët, KE e shqetësuar nga keqmenaxhimi i kufijve

15.03.2016 18:11

Komisioni Evropian ftoi Greqinë që të punojë më shumë në menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së, veçanërisht në pjesën me Republikën e Maqedonisë dhe Shqipërisë...

Zëdhënësja e KE-së, Mina Andreeva, e theksoi përkrahjen e Brukselit zyrtar ndaj autoriteteve greke në përmirësimin e situatës humane në terren dhe ndihmën që shumë refugjatë të mbesin në Idomeni.
 
"Ne për atë financojmë dhe ndihmojmë. Greqia duhet të bëjë shumë që t'i sigurojë kufijtë e jashtëm të BE-së dhe do të përkujtoj se në këtë rast situata nuk është e kënaqshme. Për atë ne ofrojmë përkrahje, si dhe Fronteks, por nevojitet shumë punë. Megjithatë, ne nuk e lëmë Greqinë vetëm, sepse ashtu siç tha edhe kryetari i KE-së, Zhan-Klod Junker, kufijtë grekë janë kufij të jashtëm evropianë dhe nuk e lëmë vendin vetëm"- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Mina Andreeva.
 
Porosi të ngjashme kishte edhe për autoritetet e Maqedonisë. Menaxhimi i kufirit është me rëndësi të posaçme për BE-në. Sa i përket arrestimit të një numri të madh të gazetarëve nga ana e Policisë së Maqedonisë, për shkak se edhe ata, së bashku me migrantët, e kaluan ilegalisht kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, Andreeva tha se Brukseli përkrah punën e gazetarëve, por jo punën e jashtëligjshme.
 
"Për gazetarët, mund vetëm të them se ne dëgjuam për incidentin mbrëmë dhe kuptuam se në ndërkohë gazetarët janë liruar. Ashtu siç e dini, Komisioni gjithmonë e përkrahë punën e gazetarëve në terren, por gjithashtu do të doja të përsëris se menaxhimi i kufirit është më i rëndësishëm dhe autoritetet kombëtare këtu duhet ta përfundojnë punën dhe të sigurojnë respektim të ligjeve dhe kufijve që ata të mos kalojnë ilegalisht"- tha zëdhënësja e KE-së, Mina Andreeva.
 
Bashkimi Evropian, sipas zëdhënëses Andreeva, vazhdon të dërgojë porosi deri te refugjatët në Idomeni, që të mos rrezikojnë në rrugët ilegale, pasi bëhen përpjekje që ato të zhvendosen dhe se përgatiten vende për pranimin e tyre.
 
SHPËTIM NUREDINI