Maqedoni

Protesta para kushtetueses, vendosen edhe tenda në mbështetje të saj

15.03.2016 18:33

Sektori civil dhe LSDM kanë organizuar protesta kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin për falje...

Sektori civil dhe LSDM kanë organizuar protesta kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin për falje, protestë e cila është paralajmëruar të zgjasë deri nesër, kur Gjykata pritet të sjellë vendimin. Por, protestojnë edhe mbështetësit e gjykatës.
 
LSDM vlerëson se gjykatësit kushtetueses, Josifovski dhe Gosheva, nuk kanë kredibilitet për të vendosur rreth çështjes së mashtrimit zgjedhor, pasi ata janë të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me partinë VMRO, prandaj mbrojnë krimet zgjedhore.
 
“VMRO-DPMNE edhe në mënyrë faktike e okupoi Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë. VMRO-DPMNE-ja në mënyrë dëshpëruese ka nevojë që kjo nismë të rezultojë e suksesshme. Është e qartë që Nikolla Gruevski është i ndërgjegjshëm për krimet e tij dhe krimet e të afërmve të tij, prandaj nuk ka asnjë dyshim se ata janë iniciatorë të veprimeve që ndodhin përpara Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov. 
 
Por, sipas VMRO-DPMNE-së, pikërisht LSDM-ja me veprimet e saj po ushtron presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.
 
“LSDM-ja ëndërron për kohën kur brenda një ditë emëruan 617 gjykatës dhe qindra prokurorë. LSDM-ja dëshiron kontroll të plotë ndaj gjykatës dhe nënshtrimin e të gjithë gjykatësve ndaj shefave partiak të saj. Nga pastruesja deri te ministri, kështu LSDM-ja dëshiron të qeverisë në vend, ashtu siç njoftoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Për partizimin e gjykatës, LSDM duhet ta pyes Viktor Gaber, respektivisht motrën e tij, dhe gjykatësen kushtetuese, Natasha Gaber Damjanovska”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE.
 
Protesta e sektorit civil dhe LSDM-së është paralajmëruar në orën 18 përpara Qeverisë, për të vijuar përpara kuvendit dhe kulminuar përpara Gjykatës Kushtetuese.
 
Ndërsa mbështetësit e Gjykatës Kushtetuese gjatë ditës kanë vendosur tendat përpara gjykatës. Organizatori i kundërprotestës është Opsionit Qytetar për Maqedoninë i Stevçe Jakimovskit, i cili tha se protesta e tyre është organizuar pasi askush nuk ka të drejtë që t’i ndalojë institucionet të bëjnë punën e tyre.
 
“Ne vlerësojmë se institucionet duhet të punojnë në bazë të ligjit dhe në bazë të bindjeve të veta. Askush nuk ka të drejtë të bëjë presion ndaj institucioneve dhe mendoni se si është ajo situatë kur ndokush i ndalon Gjykatës Kushtetuese të sjellë vendim dhe t’i bëjë presion, gjegjësisht të mos e bëjë punën e vetë”, tha Jakimovski.