Botë

Oficeri amerikan: Shkëputja e Britanisë nga BE dobëson NATO-n

15.03.2016 19:07

Nëse Britania voton pro largimit nga Bashkimi Evropian mund të shkaktojë një impakt negativ ndaj NATO-s, ka paralajmëruar një komandant i ushtrisë amerikane...

Nëngjeneral Ben Hodges, shef i Ushtrisë Amerikane në Europë, shprehu shqetësimin e tij se largimi i Mbretërisë së Bashkuar mund të vijë në një moment kritik, kur Europës i duhet të përballet me Rusinë. 
 
Hodges deklaroi se, votimi është një çështje e popullit britanik, por theksoi se është mjaft i shqetësuar për rezultatin. 
 
“Agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe ndërhyrja e saj në Siri kërcënoi sigurinë e Europës. Rusia ka armatosur krizën e emigrantëve duke detyruar mijëra prej tyre të largohen drejt Europës”, deklaroi Hodges. 
 
Oficeri i lartë nënvizoi se, aleanca e NATO-s dhe Bashkimi Europian duhet të shprehin solidaritet përballë agresionit rus, “por uniteti mund të vihet në rrezik nëse Britania voton për t’u shkëputur”, tha ai për BBC. 
 
Lobuesit e shkëputjes në Britaninë e Madhe deklarojnë se vota pro braktisjes së BE-së nuk do të prekë pozicionin e Londrës në NATO. 
 
Mbretëria e Bashkuar do të votojë nëse do të qëndrojë ose jo në BE në një referendum që do të mbahet më 23 qershor./Top Channel