Pakistan, shpërthen bomba, 15 të vdekur

16.03.2016 11:41

Së paku 15 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga shpërthimi I një bombe në një autobus në qytetin Peshauar të Pakistanit...

Shpërthimi ka ndodhur në qarkun Sadar, derisa autobusi po merrte punëtorë qeveritarë. Autoritetet kanë thënë se bomba, e vendosur brenda autobusit, është shpërthyer me telekomandë.

“Fatkeqësisht mund të themi se kemi 15 të vdekur dhe 30 të lënduar. Por, shifrat mund të ndryshojnë. Të lënduarit janë transferuar në spitalin këtu pranë”- deklaroi drejtori i Policisë në Sadar, Mohammad Ayaz.

Në momentin e sulmit në autobus ishin 40-50 njerëz. Mes të lënduarve është edhe shoferi i autobusit. Edhe pse ende nuk ka përfunduar hetimi zyrtar, hetuesit besojnë se shpërthimi ka ndodhur nga një mjet eksploziv i vendosur brenda autobusit.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë ende asnjë grup, por Peshauari është shpesh shënjestër e talibanëve pakistanezë. (Gazmend Kurtishi, TVM2)