Obama sugjeron pasardhësit e tij, ndaloni retorikën vullgare në fushatë

16.03.2016 11:53

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, u ka bërë thirrje kandidatëve presidencialë, që të frenojnë shpërthimet vullgare dhe gjithnjë e më të dhunshme, gjatë fushatës...

“Kemi dëgjuar retorikë vullgare dhe përçarëse që prek gratë dhe pakicat”, ka thënë Obama.

“Bota i kushton vëmendje asaj që themi dhe asaj që bëjmë”, ka shtuar ai.

Duke mos përmendur asnjë kandidat me emër, Obama ka thënë se shumë ngjarje të fushatës janë shënuar me përleshje dhe përpjekje për të nënçmuar pikëpamjet e kundërshtarëve.

“Është një cikël që nuk është pasqyrim i saktë i Amerikës. Duhet të ndalojë. Kjo nuk është çështje e korrektësisë politike. Ka të bëjë më mënyrën se si sjellja gërryese mund të minojë demokracinë tonë, shoqërinë tonë dhe madje ekonominë tonë”, ka thënë Obama.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 8 nëntor. Favoritë për ta zëvendësuar atë janë Hillary Clinton nga Partia Demokratike dhe Donald Trump nga Partia Republikane.