Maqedoni
OEMSh “Hera”: rinia duhet edukuar, kërkojmë mbështetje
16.03.2016 14:32
Qendrat për edukim në shëndetin seksual dhe reproduktiv, të cilat tanimë 11 vite udhëhiqen nga Organizata për edukim dhe mbrojtje shëndetësore “Hera”...

Qendrat për edukim në shëndetin seksual dhe reproduktiv, të cilat tanimë 11 vite udhëhiqen nga Organizata për edukim dhe mbrojtje shëndetësore “Hera”, kanë një rëndësi të veçantë në zhvillimin e drejtë të shoqërisë dhe funksionimi i tyre i mëtutjeshëm do të ketë efekt pozitiv në rritjen dhe zhvillimin e drejtë të gjeneratës së re.
Por, nga Shoqata “Hera” thonë se megjithëse të gjithë dakordohen për edukimin e brezit të ri, në shkollat tona nuk ka orë shtesë për edukim seksual dhe reproduktiv.
Në mungesë të orëve në shkolla, këtë boshllëk edukimi e përmbushin organizatat joqeveritare, të cilat gjithsesi kërkojnë ndihmë edhe nga sektori privat për kryerjen e aktiviteteve të tyre.
“Bëjmë ftesë deri te sektori privat të shohë efektet dhe beneficionet e qendrave dhe serviseve tona, të cilat deri më tani kanë ofruar shërbime për 25.000 klientë, kryesisht të moshës së re, të cilët vijnë nga kategoritë e ndjeshme sociale, ku në kohën e fundit kemi përfshirë edhe refugjatët të cilët transitojnë në vendin tonë”- deklaroi kryetarja e Organizatës “Hera”, Iva Mihajllovska.
“Ajo që i bën karakteristike qendrat është se në këtë mënyrë të rinjtë mund të përfitojnë sa më shumë shërbime për shëndetin seksual dhe reproduktiv. Vlen të theksohet se shërbimet janë pa pagesë, mbeten anonime dhe përfshijnë një numër të madh, si p.sh. kontrolle gjinekologjike, pap teste, test HIV, teste për sëmundje të transmetueshme infektive”- tha drejtori i përgjithshëm i Organizatës “Hera”, Bojan Jovanovski.
Të gjitha shërbimet të cilat i ofrojnë dy qendrat në lagjet Vodno dhe Shuto Orizare janë falas dhe përfshijnë terapi pa pagesë për sëmundje të caktuara, duke përfshirë edhe mjetet e nevojshme për aplikimin e terapisë, edukimin, këshilla si dhe rastet e ndryshme të dhunës së evidentuar në familje.
LEUNORA KALIQI
