Maqedoni
Ivanov: nuk do të lejojmë hyrjen e refugjatëve ilegalë
16.03.2016 14:35
Situata në Idomeni është në prag të katastrofës. Rezervat ushqimore kanë arritur në një nivel mjaft të ulët, duke detyruar emigrantët të qëndrojnë në radhë për orë të tëra...

Autoritetet kanë kërkuar mbështetje të menjëhershme, pasi me këto ritme situata mund të dalë shumë shpejt jashtë kontrollit. Pas incidentit të së hënës, presidenti Ivanov mblodhi Këshillin e Sigurisë.
Ivanov u ankua për mungesë komunikimi me Greqinë, por ishte i prerë se Maqedonia do të mbrojë kufijtë dhe sigurinë e saj. Ivanov porositi se autoritetet në çfarëdolloj shteti, përmes të cilave kalon ruta e migrantëve, nuk guxojnë të mbeten mbikëqyrës pasivë të incidenteve të këtilla.
"Parmbrëmë ndodhi incident në kufirin tonë jugor. Një numër i pakontrolluar i migrantëve nga territori i Bashkimit Evropian dhe zona e Shengenit u përpoq ilegalisht ta kalojë kufirin shtetëror jashtë vendkalimit kufitar zyrtar dhe të hyjë në rajonin në të cilin është shpallur gjendje krize. Me mbylljen e korridorit ballkanik, ishte e pritur të rriten tentimet për hyrje të dhunshme dhe ilegale në Maqedoni. Por, ajo që unë personalisht nuk e prisja është ndërmarrja e aktiviteteve jokorrekte me të cilat në mënyrë potenciale rrezikohet siguria e përgjithshme rajonale. Republika e Maqedonisë as që është anëtare e Bashkimit Evropian, as e NATO¬-s, as e zonës së Shengenit dhe nuk mund t'i durojë pasojat e politikës jounike të Unionit"- deklaroi presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
Në një kohë kur kriza e emigrantëve ka përçarë Bashkimin Evropian, Kanadaja ka publikuar planin e pranimit të azilkërkuesve brenda vitit 2016.
Sipas vendimit të ri, qeveria ka bërë me dije se do të pranojë nga 280.000 deri në 305.000 emigrantë deri në fund të vitit.
Vendimi i Kanadasë për të marrë përsipër nga 280.000 deri në 305.000 azilkërkues mund të jetë një politikë mjaft lehtësuese për Evropën, në kushtet kur situata vijon të përkeqësohet dita-ditës.
Emigrantët që janë nisur drejt Evropës, presin ndërkohë samitin e refugjatëve që do të mbahet më 17 dhe 18 mars, për të parë se çfarë vendimi do të marrin liderët e Unionit.
REXHEP QAMILI
