Maqedoni

Pedofilë, narkodilerë, manipulues zgjedhorë, kushtetuesja: falja, në dorë të presidentit

16.03.2016 15:02

Gjykata Kushtetuese pranoi iniciativën me të cilën presidentit të shtetit i kthehet e drejta të falë persona të dënuar për manipulime zgjedhore, pedofili, narkodileri e tjerë të kategorive të tilla...

Ky vendim, siç thonë nga Gjykata, prodhon veprimtari juridike pas ditës së publikimit në "Gazetën zyrtare të RM-së".
 
"Gjykata me shumicë votash mori vendim për shfuqizimin e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për falje nga viti 2009. Periudhën e ardhshme si vendim përfundimtar do të publikohet edhe në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese”- thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
 
Iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për falje nga viti 2009, me të cilën presidentit i kufizohej e drejta për të falur personat të dënuar për këto vepra, deri te Gjykata Kushtetuese e dorëzoi avokati nga Ohri, Risto Kitevski, bashkëpunëtor në zyrat e avokatit, Lupço Naumovksi, i cili si përfaqësues i  ish ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovskës, dhe kryetarit të komunës së Pustecit, Edmond Temellko, në rastin “Titanik” të akuzuar për mashtrime zgjedhore.
 
Seanca u mbajt me dyer të mbyllura dhe për këtë nuk u dha asnjë shpjegim, megjithëse praktika e deritanishme ishte që seancat të jenë të hapura për opinionin.
 
E pikërisht kjo mbyllje e dyerve për opinionin dhe gazetarët ka detyruar edhe ambasadorin amerikan, Xhes Bejli, të reagojë përmes rrjetit social twiter e t’i bëjë gjykatës pyetjen: Përse mbledhja u mbajt me dyer të mbyllura? Transparenca është çelës për çdo institucion, ka shkruar ambasadori, Xhes Bejli, në twitter. 
 
SANIJE DURAKU