Futsall: Erkan Seferi ftohet në kombëtare

16.03.2016 15:34

Parqitjet e tij të mira si dhe golat e shënuar në elitën e futsallit kanë shtyrë trajnerin e përfaqësueses së Maqedonisë në futsall, Ivan Bozhoviq për të ftuar në kombëtare futbollistin e Shkupit, Erkan Seferi...

Shkupjani ka shpërthyer këtë sezon në ligën e parë të futsallit, duke shënuar plotë 46 gola në 19 xhiro të zhvilluara, ndërsa kjo nuk ka mbetur pa u vërejtur edhe nga ana e trajnerit të përfaqësueses së Maqedonisë në futsall, i cili sot ka bërë publike listën e futbollistëve me të cilët do i kundërvihet Bosnje e Hercegovinës në dy ndeshjet kontrolluese që do të zhvillohen me 23 dhe 25 mars në Zenicë dhe Zhebçe.

“Jam vërtetë shumë i lumtur për këtë ftesë nga ana e seleksionuesit Bozhoviq. Besoj se do të jap më të mirën nga vetja dhe se cilësitë e mia të një realizatori do ti dëshmojë edhe me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë. Më duhet ti falenderojë gjithë bashkëlojtarët e mi të FC Shkupit, pasi vërtetë pa ndihmën e tyre unë nuk do të mund të arrija këtu. Merita të mëdha për golat e shënuar gjatë këtij sezoni kanë pikërisht edhe ata” – tha Erkan Seferi për faqen zyrtare të klubit në facebook.

Përveç Erkan Seferit në listën e trajnerit Bozhoviq për këto dy ndeshje kontrolluese kundër Bosnje e Hercegovinës ndodhen edhe Ferid Agushi dhe Sadat Ziberi, i cili  njëjtë sikurse futbollisti shkupjan për herë të parë do të vesh fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë në futsall. (futsalShkupi)