Maqedoni
Kumanovë: Përmirësohen kushtet në Shtëpinë e pleqëve
16.03.2016 15:39
Në Shtëpinë e pleqve në Kumanovë vazhdimisht po investohet në përmirësimin e kushteve...

Edhe sot në një solemnitet rasti u përuruan lokalet e rinovuara të kësaj qendre për pleq, me çka dukshëm përmirësohen kushtet për jetesë. Investimi më i ri kap shumën prej 3.600.000 denarëve, mjete të siguruara nga të ardhurat e Shtëpisë së pleqve, tha drejtori Xhemaledin Nexhipi.
“Pjesa e renovuar e ashtuquajtur Njësia e parë, që sot do ta lëshojmë në përdorim, numëron 13 dhoma, 12 tualete dhe një banjo. Përveç punëve të kryera në Njësinë e parë janë renovuar edhe 3 banjo dhe të ndryshme në njësitë e tjera në vlerë prej 3.600.000,00 den. mjete të cilat janë siguruar nga të hyrat vetanake të shtëpisë”- tha drejtori i Shtëpisë së pleqve–Kumanovë, Xhemaledin Nexhipi.
Ai më tej tha se qëllimi strategjik është që shfrytëzuesve t’u sigurohet jetë sociale aktive, shërbime mjekësore cilësore dhe kushte për banim, edhe atë me kapacitetin financiar që e posedon ky ent për pleq, mirëpo gjithsesi për këtë nevojitet edhe ndihma e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe e komunës së Kumanovës.
Për ngritjen e përkujdesit shëndetësor të pleqve është nënshkruar kontratë me Spitalin e Kumanovës për vizitë javore të mjekëve specialist–internist dhe psikiatër. Në bazë të planit vjetor financiar për vitin 2016 janë siguruar 2 100 000 denarë për renovimin edhe të njësive tjera.
NEXHAT AQIFI
