Maqedoni

Pastrimi i listës zgjedhore, debat në “Argument”

16.03.2016 16:02

Dilema të reja për pastrim kredibil të listës zgjedhore hapen në emisionin debativ “Argument”...

Publicisti, Nijazi Muhamedi, thotë se pastrimi aktual i listës është sipërfaqësor dhe manipulues në dëm të shqiptarëve. Muhamedi thotë se kjo ndodh për arsye se po fshihet numri real i shqiptarëve në vend.
 
“Unë ende kam rezerva me 2 milion banorë, ku 1 milion e 800 mijë është prapë një pastrim i mashtrueshëm, për arsye se ka të dhëna të njëanshme dhe kjo është bë në qafë të shqiptarëve. Një ditë doli që prej këtyre manipulimeve 100 mijë shqiptarë u gjetën. Një ditë mbetën të gjetur dhe ditën e dytë na i humbën dhe këta nuk janë këtu dhe paskan qenë në kurbet. Është një dilemë që kjo të çojë në dilemë për manipulim të ri”- deklaroi publicisti, Nijazi Muhamedi.
 
Por, sipas Subhi Jakupit nga KShZ, të gjitha dilemat do të mënjanohen me përpilimin e raportit final. Jakupi thotë se ligji nuk lejon që zgjedhësit të fshihen nga lista zgjedhore pa marrë parasysh se jetojnë apo jo në Maqedoni.
 
“Ne kur të dalim me raportin do të shohim se çka janë ato. Te lista e zgjedhësve nuk shihet përkatësia etnike, a janë shqiptarë, a janë maqedonë, a janë turq apo romë. Ajo e thënë ishte një spinë e partive për të defokusuar situatën. Ne bëjmë punën që të vijmë deri tek rezultatet, pastrim ashtu sikur është nisur të bëhet. Ana tjetër po nëse janë shqiptarë, kodi zgjedhor dhe asnjë ligj nuk lejon që t’i fshehësh ato njerëz, se ata janë qytetarë të Maqedonisë, pa marrë parasysh se a jetojnë këtu apo jo”- tha anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
 
Eksperti juridik, Mersim Pollozhani, nuk është optimist që deri më 17 prill do të bëhet pastrim thelbësor i listave zgjedhore, pasi që Maqedonia nuk ka të saktësuar numrin e banorëve të saj dhe të shqiptarëve në veçanti.
 
“Derisa partitë shqiptare, qoftë të opozitës apo të pozitës, edhe ato jashtëparlamentare nuk bashkohen në qëndrimet e tyre se listat zgjedhore njëherë e përgjithmonë duhet të pastrohen dhe të dihet numri real i banorëve, këtu fillojnë të gjitha problemet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe me listat zgjedhore. Në Maqedoni nuk dihet saktë sa banorë jetojnë këtu. Maqedonia po zbrazet, është fakt. Përmenden shifra 500 mijë se janë shpërngulur për këto vitet e fundit, le të jenë 100 mijë. 100 mijë vota në këtë anë apo në anën tjetër janë diferencë 200 mijë votues dhe kjo gjithmonë them se është në dëm të shqiptarëve”- theksoi eksperti juridik, Mersim Pollozhani.
 
Subhi Jakupi u shpreh optimist se në periudhën që vjen KShZ do të shqyrtojë edhe 5 mijë parashtresat e qytetarëve, duke u gërshetuar informacionet me institucionet dhe më pas me daljen në teren në vendet kritike, siç u tha në banesat ku janë të lajmëruar se jetojnë nga 50 votues, votues të regjistruar në më shumë adresa banimi, por edhe në institucione.
 
MERAL ISMAILI