Maqedoni

Personat me aftësi të kufizuara, perfektë për t’u punësuar në sektorin informatik

16.03.2016 16:11

Një numër mjaft i vogël i personave me aftësi të kufizuara janë të punësuar në sektorin e teknologjive informatike...

Në Javën evropiane të përfshirjes digjitale, Shoqata “Hapni dritaret” dhe MASI ftuan sektorin TI të mendojë më shumë për punësimin e këtyre personave. 
 
“Në Maqedoni, personat me pengesa në zhvillim zakonisht punësohen në vende pune të izoluara, që nuk ndihmojnë në zhvillimin e tyre social. Edhe pse në kohët e fundit ka përparim të ndjeshëm, ne propozojmë masën e punësimit praktik, si mjet real për zhvillimin e kapaciteteve dhe punësimin e tyre në vende reale pune, sidomos në sektorin e teknologjive informative”- deklaroi drejtoresha në MASI, Anita Nikova.
 
Nga Ministria e Informatikës theksuan se këta persona nuk duhet të diskriminohen dhe ata që i diskriminojnë duhet të dënohen. 
 
“Personat me aftësi të kufizuara nuk duhet që të diskriminohen në asnjë rast. Janë persona që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje”- tha ministrja e Informatikës, Marta Tomovska-Arsovska.
 
Sipas Agjencisë  për Punësim në Maqedoni, numri i personave me aftësi të kufizuara që kanë një vend pune është rreth 3860, por ata nuk evidentohen si persona me pengesa, por si gjithë të tjerët. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ