Maqedoni
Bllacë, rikonstruohet rrjeti i ujësjellësit
16.03.2016 16:20
Fshati Bllacë ka probleme shumëvjeçare me sigurimin e ujit për amvisëri...

Sistemi i ujësjellësit, i cili shfrytëzohet për momentin, është i vjetër më shumë se 30 vite dhe ka defekte të shpeshta.
Po ashtu, rrjeti ekzistues i ujësjellësit nuk siguron sasi të mjaftueshme të ujit për nevojat ditore të popullatës lokale dhe problemet me furnizimin me ujë, posaçërisht gjatë verës, janë më të theksuara.
Sot atje filluan punimet për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit primar dhe sekondar, përkatësisht është paraparë sigurimi i sasive shtesë të ujit nga përroi Studenë, prej ku do të merret uji.
“Do të përfshijë restaurimin e rezervarit të ujit, pastaj rrjetin sekondar dhe terciar dhe në shpërndarje nëpër amvisëri. Projekti në vlerë prej 400 mijë euro në fazën e parë është i përkrahur nga Ministria e Ekologjisë me vlerë prej 2milion e 500 mijë denarëve”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
Kryetari i komunës së Çuçer Sandevës, Jovan Pejkovski, tha se komuna për ujësjellësin në fshatin Bllacë do të ndajë rreth 400 mijë euro.
Deri në fshat uji do të distribuohet përmes rrjetit të ujësjellësit, i përbërë prej 10 krahësh.
Po ashtu, Ministria e Mjedisit Jetësor mbulon edhe shpenzimet për furnizim të ujit edhe në pjesët K3 dhe K7, gjatësia e të cilave arrin në rreth 390 m.. Ky projekt pritet të mbarojë pas 4 muajve.
GYLTENE SINANI
