Maqedoni

Ilir Meta: Zgjedhjet në RM, mundësi për stabilitet

16.03.2016 16:51

Të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë do të mund të njohin progres vetëm përmes hapave të mëtejshëm integrues dhe modernizues të këtij shteti...

Kështu u shpreh kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë takimit me përfaqësues të biznesit të Maqedonisë. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se i sheh zgjedhjet e 5 qershorit si një mundësi e mirë për t’i dhënë fund krizës në Maqedoni.
 
“Mbi të gjitha shpresojmë që fundi i kësaj krize të ndihmojë edhe për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, sikurse edhe për shumë aspekte të tjera të proceseve integruese. Kjo mendojmë se është në interesin e Maqedonisë, në interesin tonë dhe gjithashtu besoj shumë se është edhe interesi i shqiptarëve të Maqedonisë, të drejtat e të cilëve për ne mund të kenë progres vetëm përmes hapave të mëtejshëm integrues dhe modernizues të këtij shteti”- deklaroi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Gjatë këtij takimi u hodh ideja e heqjes së barrierave në mënyrë që të krijohet një ekonomi e përbashkët rajonale.
 
Takimi i bizneseve të Maqedonisë dhe Kosovës me kreun e Kuvendit të Shqipërisë është zhvilluar në kuadër të një tryeze të nivelit të lartë të bashkëpunimit rajonal në fushën e biznesit.
 
LULJETA NDOKA