Maqedoni

Hiqen tendat para kushtetueses, protestuesit të paqartë se çfarë vendimi mbrojtën

16.03.2016 17:52

Pas marrjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mundësinë që presidenti të amnistojë personat që kanë bërë krime të rënda, si manipulime zgjedhore...

Pas marrjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mundësinë që presidenti të amnistojë personat që kanë bërë krime të rënda, si manipulime zgjedhore, pedofili, terrorizëm apo edhe narkodileri, qytetarët që kishin dalë në kundërprotestë për të mbrojtur vendimet e gjykatës hoqën tendat dhe u shpërndanë. Iniciatori i kësaj proteste, Stevço Jakimovski, falënderoi të gjithë ata që, sipas tij, dolën të mbrojnë institucionin e lartë shtetëror. 
 
“Ne nuk komentojmë vendimin e institucionit më të lartë gjyqësor në R. e Maqedonisë. Gjykata Kushtetuese është e detyruar që të hedh poshtë të gjithë atë që nuk është në përputhje me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese është e detyruar të vendos në përputhje me të drejtën, në përputhje me Kushtetutën e RM-së, pastaj kryetari i shtetit sjell vendim politik dhe atëherë mundemi të hapim debat politik, a është ajo e mirë që të bëhen falje të caktuara apo jo, dhe nga presidenti varet se çfarë pune do të bëjë”- deklaroi kryetari i OPQM-së, Stevço Jakimovski.
 
Qytetarët, që kaluan natën në tendat para Kushtetueses, u gëzuan që gjithçka përfundoi megjithëse edhe në anketat që zhvilloi TVM duket se ende nuk e kishin të qartë se çfarë mbrojtën mbrëmë. Ata në fakt mbrojtën vendimin e kushtetueses, por janë kundër faljes së kriminelëve. 
 
“Jemi këtu të mbrojmë Gjykatën nga opozita, e cila do që të vijë në qeveri pa zgjedhje, me dhunë, obstruksione ndaj gjyqit. Ju mendoni se duhet të falen personat që kanë bërë mashtrime zgjedhore, pedofilët dhe kriminelët? Nuk duhet të amnistohen”- tha një qytetar.
 
“Unë me timen mendoj se sot Gjykata duhet të amnistojë kriminelët, pedofilët, mendoj se ajo është. Ju mendoni se duhet të ekzistojë opsion ku presidenti duhet t’i amnistojë këto persona? Jo, nuk duhet! Dhe sipas jush çfarë vendimi duhet të sjell Gjykata? Vendimi duhet të jetë për shtetin, për popullin, për ne”- theksoi një qytetar.
 
“Po, Gjykata Kushtetuese është në të drejtë, ne jemi maqedonas dhe për Maqedoninë luftojmë. Jo dikush të na provokojë si LSDM, apo dikush tjetër. Mendoni se duhet të sillet një vendim me të cilin do të mund të falen personat që kanë bërë mashtrime zgjedhore, pedofilët dhe terroristët? Atë ligj e solli LSDM në 2014, mendoj”- u shpreh një qytetar.
 
Nga LSDM, ndërkohë, thonë se vendimi i turpshëm i Gjykatës Kushtetuese nuk është asgjë tjetër përveçse një keqpërdorim klasik i instalimeve politike në gjyqësi, me shpresë që Gruevski do të shpëtojë nga përgjegjësia.
 
Për këtë qëllim u parashtrua kjo iniciativë deri tek Gjykata Kushtetuese dhe për këtë qëllim ajo u miratua në mënyrë të shpejtë. Për këtë arsye u organizuan kundër-protesta përmes të punësuarve në Administratën Publike, komentuan nga LSDM.
 
ERSAN PAJAZITI