Maqedoni

Kuvend, akuza për programin e Kanalit të Kuvendit

16.03.2016 18:01

Deputetët shqiptarë dhe opozita maqedonase nuk pajtohen me programin e Kanalit të Kuvendit, i cili, sipas deputetëve shqiptarë...

Deputetët shqiptarë dhe opozita maqedonase nuk pajtohen me programin e Kanalit të Kuvendit, i cili, sipas deputetëve shqiptarë, nuk e paraqet realitetin multietnik në vend, ndërsa sipas opozitës maqedonase keqpërdoret nga partia maqedonase në pushtet. Për ekspertët e fushës, Kanali i Kuvendit është kanali më i mbyllur në rajon. 
 
Sipas profesoreshës universitare, Jasna Baçovska, ky kanal duhet krijojë hapësirë për debate publike. 
 
“Duhet të kemi një servis radio-difuziv publik të fuqishëm. Ne nuk arritëm që ta ngremë në këmbë assesi, edhe pse duhet të jetë shtyllë e përgjegjësisë shoqërore. Ja edhe ky kanal televiziv që është në servisin publik është totalisht kanal parlamentar i vdekur.”- deklaroi prof. universitare, Jasna Baçovska.
 
Deputetët shqiptarë kërkuan që përveç transmetimeve nga Kuvendi, përmbajtja e programit të reflektojë realitetin multietnik në vend. 
 
“Hapësira tjetër nuk reflekton shtetin e RM-së, nuk reflekton shoqërinë multietnike në RM, në këtë Kuvend ka përfaqësues të të gjitha bashkësive etnike”- tha Ejup Rustemi nga BDI.
 
“Kërkojmë dorëheqjen e kryeredaktores së Kanalit televiziv të Parlamentit, kërkojmë që të mos paguhet taksa radio-difuzive, edhe ne do të tërhiqemi, paguani ju, mbani ju, bëni politikat e juaja. Ne do të tërhiqemi nga kjo.”- u shpreh Gazmend Aliji nga PDSh.
 
Kryetarja e Këshillit të Kanalit të Kuvendit, nga radhët e opozitës, Renata Deskovska, akuzoi pushtetin për keqpërdorim politik të këtij kanali.
 
“Gjithmonë kur dëshironi të bëni diçka që nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën, ligjet, ose nuk është e pranueshme, atëherë e shkyçni opinionin. E pamë këtë në 24 dhjetor të vitin 2012, kur gazetarët u larguan nga Parlamenti. Gjithmonë kur mbyllni diçka për opinionin do të thotë se nuk e keni ndërgjegjen e pastër.”- tha Renata Deskovska nga LSDM.
 
Në debat nuk u përfshinë deputetët e VMRO-DPMNE-së. Pakënaqësia dhe përplasja mes të gjitha palëve ka zvarritur miratimin e programit të Kanalit kuvedor në Kuvendin e Republikës. 
 
SHPËTIM NUREDINI