Maqedoni

Lidington: Lini anash interesat personale, realizoni zgjedhje te besueshme

16.03.2016 21:04

Ministri për Evropën i Britanisë së Madhe Dejvid Lindington pas takimeve të sotme tha se Zgjedhjet e 5 qershorit duhet të jenë të besueshme...

Ministri për Evropën i Britanisë së Madhe Dejvid Lindington pas takimeve  të sotme tha se Zgjedhjet e 5 qershorit duhet të jenë të besueshme dhe sipas standardeve ndërkombëtare me qëllim që Maqedonia të mund t’i rikthehet rrugës evropiane. 
 
“Zgjedhjet e besueshme janë të mundshme më 5 qershor nëse të gjitha palët e përfshira lënë anësh interesat e tyre personale apo partiake dhe punojnë në drejtim të realizimit të pritshmërive në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinës. Në fund votuesit janë ata që do të bëjnë zgjedhjen e tyre në bazë të informatave që do të ofrojnë mediat dhe procesit të drejtë zgjedhor”, tha  Lindington.
 
Ligjin për falje, zyrtari i lartë britanik kujtoi se pavarësia e Gjykatës dhe prokurorisë janë kushtet kryesore në procesin e anëtarësimit të vendit në strukturat euro-atlantike.
 
“Është shumë e rëndësishme që puna e Prokurorisë Speciale të mos pengohet. Pavarësia e punës së prokurorisë speciale ishte pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës, marrëveshje e cila u mbështet nga të gjithë liderët politik. Është e vështirë të shihet se si mund të ketë zgjidhje të kënaqshme për një sërë pretendimesh rreth cikleve të fundit zgjedhore...zbatimi i sundimit të ligjit, reformat strukturore për të garantuar pavarësinë e gjykatave dhe sistemit të prokurorisë janë elemente thelbësore në procesin e anëtarësimit”, tha Lindington.