BE dhe Turqia, pritet finalizimi i marrëveshjes për refugjatët

17.03.2016 11:01

Liderët e Bashkimit Evropian dhe të Turqisë sot dhe nesër do të përpiqen të finalizojnë marrëveshjen për ndaljen e fluksit të mijëra migrantëve nëpër Detin Egje në Greqi...

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka tërhequr vërejtjen se “ka ende shumë për tu bërë” për finalizimin e marrëveshjes gjatë samitit dyditësh në Bruksel, për çështjen e krizës së migrantëve.

Plani për të cilin diskutohet nga liderët e Bashkimit Evropian, përfshinë edhe pajtueshmërinë për “këmbimin” të migrantëve, që ishte propozuar nga kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, para 10 ditësh.

Me këtë plan parashihet që në Turqi të kthehen të gjithë migrantët që kanë arritur në ishujt e Greqisë nëpër Turqi, ndërsa BE-ja do të merrte më tepër refugjatë nga Turqia.

Kjo ide është “ndërprerje e biznesit të kontrabandistëve” dhe për tu ofruar një alternativë azilkërkuesve, që nuk do ta rrezikonte jetën e tyre, kanë thënë zyrtarët. Por organizatat humanitare dhe ato të ndihmave mjekësore, të cilat aktualisht ndodhen në kampin e Idomenit në Greqi, deklarojnë se situata është alarmante dhe se emigrantët nuk mund të durojnë edhe shumë gjatë.

Ata thonë se refugjatët tashmë janë në limite dhe furnizimet janë drejt fundit. Zëdhënësi i UNHCR Babar Baloch e quajti një emergjencë humanitare situatën në Greqi.

“Shumë fëmijë janë të sëmurë, duhet medoemos një rrugëdalje. Emigrantët këtu nuk kanë kohë, ata janë të dëshpëruar, situata është skandaloze, duhet vëmendje e menjëhershme”, tha ai.

Mi 40 % e refugjatëve në kam pin e Idomenit janë fëmijë, ndërsa shumica vuajnë nga sëmundje të ndryshme.