Katër të arrestuar në Paris, po planifikonin një sulm terrorist
Katër persona janë arrestuar në Paris, pasi dyshohet se po planifikonin një sulm terrorist...

Mediat franceze raportojnë se tre burra dhe një grua janë ndaluar nga forcat e policisë në zonën e Seine-St.Denis.
Agjencia franceze e Inteligjencës deklaroi për mediat vendase se katër të ndaluarit po hartonin një plan për të kryer sulme të njëpasnjëshme në zemër të Parisit. Gjatë operacionit dhe bastisjes në banesë, forcat e rendit sekuestruan një armë automatike kallashnikov, një pistoletë dhe një kompjuter.
Një nga të arrestuarit është i njohur për precedentë kriminalë, ndërsa deri para një muaj ka qenë në arrest shtëpie.
Autoritetet konfirmojnë se të katërt kanë lidhje me islamin radikal. Kryeqyteti i Francës është në alarm që nga sulmet e nëntorit, ku humbën jetën 130 persona. Sipas mediave, bëhet fjalë për dy vëllezër francezë dhe një person me origjinë turke.
Ndërkohë që të martën Policia franceze në bashkëpunim me atë belge zhvilluan një operacion në një banesë në Bruksel, e cila kulmoi me shkëmbim-zjarri mes forcave të rendit dhe të dyshuarve. Një prej tyre humbi jetën dhe më vonë u konfirmua se ai ishte një shtetas algjerian me emrin Mohamed Belkaid.
Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, tha dje se vendi do të mbetet në nivelin e tretë të alertit, gjendja e dytë më e lartë e gatishmërisë së sigurisë. Ai i bëri thirrje popullit të tij të qëndrojë i qetë dhe siguroi se shërbimet e sigurisë janë duke punuar për të kontrolluar çdo kërcënim. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
