Sportet E Tjera

Gut fiton kurorën e supersllallomit të madh

17.03.2016 15:11

Skiatorja zvicerane, Lara Gut, para pak ditësh ka siguruar titullin e kampionit të botës, por ka fituar edhe një trofe tjetër të rëndësishëm...

Ajo është stolisur me kurorën e ‘Globit të Vogël të Kristaltë’ në supersllallom të madh. Gut në garën e fundit të kësaj disipline për edicionin e sivjetshëm, zuri vendin e dytë me 41 qindtat e sekondës më pak se pozita e parë.

Skiatorja nga Lihteshtajni, Tina Weirather bëri paraqitje fenomenale dhe ngadhënjeu me kohë 1:18.93 minuta. Në pozitën e tretë është austriakja Cornelia Hütter me kohë më të ngadalshme për 59 qindtat se Weirather.

Gut është kampione e supersllallomit të madh, e cila tuboi 481 pikë. Në pozitën e dytë është renditur Weirather me 436 sosh, pasojnë Vonn (420) e Hutter (400).

Ndërkaq, në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, Gut kryeson me 1.462 pikë, ndërsa amerikania Vonn është në vend të dytë me 1.235 pikë, pasojnë skiatorja gjermane Rebensburg (1.047), Weirather (996).