Maqedoni
Maksuti: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, antikushtetues; Ivanovski: Si do të arsyetojë vendimin Gjykata Kushtetuese
17.03.2016 15:38
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ku presidentit të shtetit i kthehet e drejta të falë persona të dënuar për manipulime zgjedhore...

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ku presidentit të shtetit i kthehet e drejta të falë persona të dënuar për manipulime zgjedhore, pedofili, narkodileri e tjera, është antikushtetues dhe do të ndikojë edhe më shumë në përhapjen e kriminalitetit në vend.
Ky është konstatimi i profesorit universitar, Mersim Maksutit, sipas të cilit gjykata në vend që të luftojë këto dukuri, ajo po sjell vendime të cilat duket qartë se janë politike.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pa mëdyshje se nuk është në funksion të luftës së kriminalitetit në RM dhe abuzimeve me zgjedhjet që kanë ndodhur në vendin tonë deri më sot, e as në luftën kundër pedofilëve dhe të gjithë narkodilerëve në vend. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese minon në tërësi edhe gjithë Marrëveshjen e arritur të Përzhinës dhe është anti-kushtetues. Me rastin e djeshëm u tregua se politika drejtpërdrejt kishte diktatin e vet mbi vendimin e kësaj gjykate. Pra, ishte një vendim politik dhe me prapavijë minimin e Marrëveshjes së Përzhinës”- deklaroi profesori universitar, Mersim Maksuti.
Ndërsa ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski, thotë se problemi nuk qëndron tek e drejta e presidentit për të falur, por te ajo se sa realisht mund t’i besohet pushtetit.
“Mbrojtja e ndarjes së pushtetit është detyra parimore e Gjykatës Kushtetuese. Vendimin ndoshta e kanë sjellë, por s’kanë se si ta arsyetojnë. Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese është afatgjatë, prandaj duhet të punohet në përforcimin e kapacitetit të kësaj gjykate”- theksoi ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski.
Ivanovski thotë se me këtë përbërje që është tani, Gjykata Kushtetuese mund të votojë gjithçka që do pushteti dhe se hapi i ardhshëm i pushtetit është Prokuroria Speciale Publike.
SANIJE DURAKU
