Maqedoni

Komiteti për Parandalimin e Torturës: Keqtrajtimi i pranishëm në burgje

17.03.2016 15:55

Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Evropës e publikoi raportin pas vizitës së pestë periodike në Maqedoni...

Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Evropës e publikoi raportin pas vizitës së pestë periodike në Maqedoni, gjatë të cilës është vlerësuar progresi i arritur pas vizitave të këtij komiteti nga vitet 2010 dhe 2011.
 
Gjatë qëndrimit në Maqedoni prej 7 deri në 17 tetor të vitit 2014, delegacioni i Komitetit për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Evropës ka vizituar disa stacione policore për t’u njoftuar me kushtet e paraburgimit dhe masat mbrojtëse, si dhe ka vizituar edhe Qendrën për të huaj në Shkup.
 
Raporti flet për keqtrajtim të qëllimshëm të të burgosurve nga ana e personelit të burgjeve, e sidomos në burgun e Idrizovës.
 
Dhuna fizike, gjoja shfrytëzohet si mjet që të imponohet disiplina. Duhet të vendoset politikë gjithëpërfshirëse për identifikim dhe hetim të pretendimeve për sjellje të keqe, konstaton delegacioni i këtij Komiteti, i cili po ashtu vlerëson se dhuna midis të burgosurve mbetet shqetësuese.
 
Sa i përket çështjeve kuadrovike, Komiteti thekson se niveli i pamjaftueshëm i numrit të të punësuarve dhe mungesa e trajnimeve dhe mbështetja e personelit janë të lidhura në mënyrë esenciale me problemet të cilat janë theksuar në raport, siç janë keqtrajtimet, dhuna midis të burgosurve dhe mungesa e aktiviteteve.
 
Kjo gjendje ishte më e dukshme në burgun e Idrizovës, ku kishte vetëm 218 nëpunës të burgjeve për rreth 1.600 të burgosur. Përveç kësaj, menaxhimi profesional me karrierën në sistemin e burgut ende nuk ekziston, vë në dukje raporti.
 
Po ashtu ka vërejtje edhe për mbrojtjen shëndetësore në burgje, kontaktet e të burgosurve me botën e jashtme, për trajtimin e minorenëve, kushtet higjienike, për kushtet e këqija, për punën e të punësuarve në shtëpinë ndëshkuese korrigjuese, si dhe për Qendrën e pranimit për të huaj në Shkup dhe Entin special “Demir Kapiа”. 
 
GYLTENE SINANI