Botë

Emigrantët në pritje të vendimit, duan vendet e BE-së, jo Turqinë

17.03.2016 16:13

Krerët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian me intensitet të madh negociojnë për të finalizuar marrëveshjen e javës së kaluar për dërgimin e migrantëve nga Lindja e Mesme në Turqi...

Udhëheqësit e BE-së pranojnë se negociatat për të arritur marrëveshje zhvillohen me pengesa të shumta. Propozohet që Ankaraja të strehojë emigrantët e bllokuar në Ballkan, por kjo gjë kushtëzohet nga disa vende të BE-së, të cilat nuk pajtohen me propozimin që vendet e BE-së do duhet të marrin refugjatë që vijnë nga vendet në konflikt direkt nga Turqia. 
 
“Unë jam optimist i përmbajtur. Kemi përparim në negociatat, por na pret edhe shumë punë për të bërë. Qëllimi ynë është i qartë, na duhet marrëveshje, që do të pranohet nga 27 vende anëtare të BE-së dhe Turqia”- deklaroi kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.
                                                                                                            
“Do të jetë e vështirë për të gjetur zgjidhje, por kjo nuk është e pamundur. Ne kërkojmë përgjegjësi të barabarta në akomodimin e refugjatëve sirianë. Dua të sqaroj për të gjithë se Turqia nuk është fajtore për krizën humanitare të refugjatëve. As ju. Ata që janë përgjegjës për këtë krizë duhet të bëjnë më shumë për të ndalur luftimet në Siri”- tha kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu.
Mijëra refugjatë të bllokuar në Greqi dhe përgjatë kufirit me Maqedoninë gjatë ditës së sotme protestuan kundër këtij propozimi.
 
Ata kërkojnë nga liderët evropianë të hapen kufijtë për në Evropë dhe të mos miratojnë vendim që do t’i detyrojë ata të kthehen në Turqi.
 
Në brendi të Greqisë, Idomeni dhe përgjatë kufirit me Maqedoninë mbetën të bllokuar në kushte jashtënjerëzore rreth 30 mijë refugjatë, ndërsa në kampet e pranimit në Tabanoc të Maqedonisë është përhapur zgjebja dhe lija.
 
“Të gjithë ne këtu shpresojmë se Bashkimi Evropian do t’i hapë kufijtë që ne të arrijmë në Evropë. Por, megjithatë nuk besoj se një gjë e tillë me të vërtetë mund të ndodhë”- theksoi refugjatja nga Siria, Fatima Ahmad.
 
“Mesazhi im për liderët evropianë që takohen sot është që të sensibilizohen me ne dhe fëmijët tanë para se të marrin ndonjë vendim dhe të kenë parasysh se të gjithë ne kemi ikur nga zonat e luftës. Ju lutemi na zgjatni dorën. Nuk kemi ardhur të jetojmë në tenda dhe në të ftohtë”- u shpreh refugjati nga Siria, Omar.
 
Në rast se arrihet marrëveshje, në këmbim Turqia shpreson se do të marrë nga BE fonde për strehimin e refugjatëve që arrijnë në miliarda euro, lëvizje të lirë pa viza për shtetasit turq në vendet e Shengenit dhe përshpejtimin e procedurave të anëtarësimit të Turqisë në BE. 
 
REXHEP QAMILI