Maqedoni
Vendimi i kushtetueses, reagon KE: Shkeljet zgjedhore nuk guxojnë të falen
17.03.2016 17:26
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që riktheu në fuqi vendimin ligjor të vitit 2009, e me këtë edhe kompetencat e presidentit...

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që riktheu në fuqi vendimin ligjor të vitit 2009, e me këtë edhe kompetencat e presidentit që të falë personat e dyshuar dhe të dënuar për krim zgjedhor, pedofili, trafikim droge dhe krime tjera, ka reaguar edhe Komisioni Evropian.
KE kundërshton mundësinë e faljes së parregullsive zgjedhore dhe apelon për kujdes në shfrytëzimin e mundësisë për falje, të cilën Gjykata Kushtetuese ia ktheu presidentit të shtetit.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare, siç është e paraparë me Marrëveshjen e Përzhinës, janë hap kyç ne procesin reformues, i cili duhet të kthejë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
“Presim që të anashkalohet çdo akt i cili punon në kundërshtim me këtë qëllim. Çdo sugjerim për mosndëshkim të shkeljeve zgjedhore do të jetë në kundërshtim me përpjekjet e vendit tuaj dhe atë të komunitetit ndërkombëtar për të siguruar kushte për zgjedhje të besueshme dhe për kthim të besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor”,- deklaroi Kocianciç.
Bashkimi Evropian pret nga presidenti Ivanov të punojë në përforcimin, e jo në dobësimin e demokracisë në vend. KE përkujton se vendimi eventual i presidentit të shtetit për t’i amnistuar të akuzuarit dhe të dyshuarit për manipulime dhe krim zgjedhor do të jetë në kundërshtim edhe me rolin e Prokurorisë Speciale, me këtë edhe me marrëveshjen e nënshkruar nga katër liderët.
BESIM ABDULLAI
