Maqedoni

KShZ: Kontrolle shtesë nga të dhënat e kryqëzuara

17.03.2016 17:37

Anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor në seancën e mbrëmshme nuk arritën të miratojnë raportin me rezultate nga kontrolli i kryqëzuar i të dhënave nga institucionet relevante...

Deri në përfundimin e kontrolleve plotësuese, KShZ gjithashtu vendosi të mos shpalosë numrin e rasteve të dyshimta që ka zbuluar kontrolli i kryqëzuar nga të dhënat e institucioneve të përfshira në metodologjinë e miratuar nga ky organ. 
 
“Pas shqyrtimit paraprak të raportit për realizimin e kontrolleve të kryqëzuara të të dhënave të institucioneve relevante, vendosi që të bëjë kontrolle plotësuese të disa pyetjeve të cilat ishin të përfshira gjatë kontrollit. Gjithashtu deshëm të cekim se çdo informacion, i cili shpaloset nëpër media në lidhje me rezultatet e kontrolleve të kryqëzuara të të dhënave të institucioneve, e hedhim poshtë si spekulim dhe të njëjtat të merren si të tilla”- deklaroi Admir Shabani nga KShZ.
 
Të pyetur lidhur me pastrimin e Regjistrit zgjedhor, LSDM dhe VMRO-DPMNE u shprehën:
 
“KShZ është organ i cili ka përgjegjësinë më të madhe në Republikën e Maqedonisë që ta kthejë besimin e qytetarëve në regjistrin zgjedhor, sepse vetëm me regjistër të pastër zgjedhor Maqedonia mund të ketë zgjedhje fer dhe demokratike, si parakusht i vetëm për të dalë nga kriza e thellë politike”- tha Petre Shilegov nga LSDM.
 
“Parlamenti miratoi vendim që zgjedhjet të mbahen më 5 qershor dhe ne jemi plotësisht të përgatitur që të dalim në zgjedhje me 5 qershor. Detyrë e KShZ-së është që të kryej punën e saj lidhur me regjistrin zgjedhor. Ne kemi vetëm dy nga gjithsej nëntë anëtarë në KShZ. Është e qartë se dikush tjetër e ka shumicën dhe shpresoj të mos ketë frenime të reja dhe ajo nuk është puna jonë. Punë jonë si parti politike është që të ndjekim vendimin e parlamentit”- theksoi  Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga KShZ gjithashtu njoftojnë se sapo të përfundojë kontrolli i testeve plotësuese, menjëherë do të caktohet seanca për miratimin e raportit me rezultatet nga kryqëzimi i të dhënave.
 
NAIM RAMADANI